Lidhje

Amerika në ndihmë të Ukrainës


Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje që i ofron Ukrainës 2 miliardë dollarë në formën e garancisë për borxhet, të cilat do të ndihmojnë programet sociale të këtij vendi gjatë vitit 2015. SHBA deklaruan gjithashtu se janë të gatshme të rrisin trysninë e sanksioneve kundër Rusisë nëse kjo do të jetë e nevojshme. Marrëveshja u nënshkrua në Kiev nga ministrja ukrainase e financave, Natalia Yaresko, dhe sekretari amerikan i thesarit, Jack Lew.

“Jam i kënaqur që nënshkrova me ministren Yaresko deklaratën për të filluar me garancinë e borxhit prej 1 miliardë dollarësh. Kjo garanci synon të ndihmojë Ukrainën me shpenzimet sociale afatshkurtëra për të mbrojtur ukrainasit në nevojë nga efektet e reformave të domosdoshme ekonomike”, u shpreh zoti Lew gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Ai shtoi se marrëveshja parashikon që qeveria ukrainase të vazhdojë programet e reformës fiskale dhe dhënien fund të korrupsionit.

Sekretari Lew foli gjithashtu edhe për mbështetjen e Rusisë ndaj separatistëve në Ukrainë, gjë që ka sjellë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Opsioni ynë parësor është një zgjidhje diplomatike që do të lejonte lehtësimin e sanksioneve, ashtu siç dhe jemi të gatshëm për t’i shtuar ato”, shtoi zoti Lew.

Presidenti Obama fajësoi Rusinë të dielën për rifillimin e luftimeve në Ukrainën lindore, dhe tha se Uashingtoni do të shqyrtojë alternativa të tjera për rritur trysninë mbi Moskën.

Disa qeveri të vendeve të Bashkimit Evropian po bëjnë gjithashtu thirrje për sanksione të reja.

Ministrja Yaresko falenderoi Shtetet e Bashkuara për dhënien e kësaj garancie të borxhit dhe premtoi zbatimin më të shpejtë të reformave shumë të nevojshme.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ofroi Ukrainës një garanci borxhi prej 2 miliardë dollarësh. Kjo do t’i lejojë Ukrainës të zbatojë reformat e filluara dhe të sigurojë mbështetje financiare ndërkombëtare.”

Ekonomistët kanë paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me një ristrukturim drastik të borxhit, nëse huadhënësit ndërkombëtarë nuk rrisin ofertat e tanishme për të plotësuar një boshllëk financimi prej 15 miliardë dollarës

XS
SM
MD
LG