Lidhje

Lagje ukrainase të përçara nga konflikti


Banorët e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore gjenden në epiqendrën e betejës që po zhvillojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët duan të rimarrin përsëri territorin që ata e kontrollonin vitin e kaluar në fillim të konfliktit. Shumë banorë lokalë janë të shqetësuar dhe të frikësuar, por të tjerët e mirëpresin një ndryshim të tillë, madje edhe në momentet kur rebelët bombardojnë lagjet e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin njofton nga qyteti Papasna, në distriktin e Luhanskut, vetëm 15 kilometra largë vijës së frontit të vendosur nga qeveria e Ukrainës.
Rrënojat janë dëshmi e shtëpisë, që zyrtarët thonë se u shkatërruar këtë javë pasi u godit nga një raketë ruse.

Pronarja e saj, Valentina, ndodhej në shtëpi kur ra raketa. Ajo thotë se gjatë sulmit ishte goditur në kokë dhe nuk mund të shihte, por arriti të zvarritej në drejtim të portës së shtëpisë.

"Dola nga shtëpia. Asgjë nuk kishte mbetur. Shtëpia është zhdukur. Unë u tmerrova. Ende jam e tmerruar, sepse jam rritur në këtë shtëpi. Ajo ishte shtëpia e prindërve të mi. Babai im e kishte ndërtuar me duart e tij".
Burri i saj Yuri mban në duar ato që ai thotë se janë fragmente të raketave. Ai thotë se autoritetet i pastruan copat e tyre të mëdha.

"Nuk e di se si doli gjallë gruaja. Është e pabesueshme. Duket se kjo është vija e frontit, që duket se ka formën e një gjysmë-rrethi".

Yuri dhe Valentina kanë lëvizur në një apartament diku tjetër në qytet, por Valentina thotë se ajo nuk do të shkojë më larg.

"Kurrë nuk do të largohem nga atdheu im. Varret e prindërve të mi janë këtu. Jam lindur e rritur këtu. Unë kurrë nuk do ta lë këtë vend".

Poshtë rrugës, ardhja e gazetarëve dhe zyrtarëve ukrainas shkakton një përplasje. Disa fqinj duan që kryengritësit të kthehen. Ky burrë i ka dërguar fëmijët e tij në Rusi.

"Ne nuk kërkuam që ju të vini nga Perëndimi. Shikoni punën tuaj. Bëni çfarë të doni. Ne duam të jetojmë dhe të punojmë këtu. Ne nuk kemi nevojë për asgjë tjetër".

Fqinji i tij dëshiron që gjërat të jenë ashtu siç ishin para fillimit të luftës.

"Ne kemi qenë të përzier dhe kemi jetuar bashkë, rusë të veriut, rusë ukrainas. Nëna mund të ishte ukrainase e babai rus. Rusët erdhën këtu për të rimëkëmbur minierat e Donbasit. Çdo gjë ishte në rregull. Ne duam paqe".

Në bashkinë e qytetit, puonjësit po përpiqen të riparojnë dritaret dhe çatinë e dëmtuar, dhe janë të shqetësuar nga përparimi i rebelëve.

"Unë jam shumë e frikësuar. Por çfarë do të bëjmë? Duhet të jetojmë. Nuk kemi ku të shkojmë, kështu që duhet jetojmë dhe të punojmë madje edhe kur ka bombardime. Është e frikshme", thotë Natalia, një punonjëse e bashkisë.


"Ne mund të largohemi. Kemi vend ku mund të shkojmë. Por unë vetë nuk mundem. Prindërit i kam këtu. Thjesht nuk mund të largohem, nuk mund ta lejoj veten të largohem. I kemi larguar fëmijët, por është shumë e rëndë", thotë Olga, një punonjëse e bashkisë.

Një statujë e Leninit ende ndodhet në sheshin e qytetit Papasna. Errësira e dimrit duket se nxjerr në pah gjendjen shpirtërore të qytetit, që po përjeton një histori me pasoja gjeopolitike. Pavarësisht nga prirjet e tyre politike, banorët e ndjejnë ndryshimin e thellë që mund të vijë përsëri në qytetin e tyre dikur të zakonshëm që jo shumë kohë më parë nuk figuronte fare në titujt e lajmeve.

XS
SM
MD
LG