Lidhje

Sulmet në Paris dhe tregu i zi i armëve


French President Francois Hollande, center, speaks with Defense Minister Jean-Yves Le Drian, left, and Foreign Affairs Minister Laurent Fabius at the end of a defense council at the Elysee Palace in Paris, Jan. 21, 2015.
French President Francois Hollande, center, speaks with Defense Minister Jean-Yves Le Drian, left, and Foreign Affairs Minister Laurent Fabius at the end of a defense council at the Elysee Palace in Paris, Jan. 21, 2015.

Ndërsa zyrtarët e rendit analizojnë sesi celulat terroriste në Paris dhe Belgjikë kryen sulmet e fundit, lind pyetja: si arritën ata të sigurojnë armë ushtarake – që janë të paligjshme në Bashkimin Evropian. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Swicord, ekspertët thonë se ka një treg të zi shumë aktiv në mbarë botën për këto armë dhe blerësit e tyre janë kriminelët dhe terroristët.

Personat që kryen sulmin ndaj Charlie Hebdo ishin të armatosur me kallashnikovë, një armë e paligjshme në Francë.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se municioni i përdorur ishte prodhuar në Bosnje. Zëvendëministri boshnjak i Mbrojtjes Zivko Marjanac thotë se disa depo ushtarake janë vjedhur kohët e fundit.

“Pamë se ato janë prodhuar në vitin 1986. Municion i tillë gjendet në depot e armëve por edhe në shtëpitë e individëve në Bosnje. Dikush mund të ketë edhe 15 apo 20 të tilla. Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjegjëse për çfarë ndodh jashtë Bosnjes.”

Ekspertët thonë se vjedhja e rezervave shtetërore i bën armët të përfundojnë në tregun e zi dhe në duart e kriminelëve e terroristëve.

Llogaritet se në mbarë botën ka 100 deri në 500 milionë armë të tipit ushtarak në qarkullim. Studiuesi Matt Schroeder thotë se shumë armë vijnë nga stoqet e mbetura nga periudha sovjetike.

“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ka vende si Bosnja me rezerva të mëdha armësh të vogla, e të lehta dhe shumë pak kontroll të qeverisë mbi këto rezerva. Si rezultat një pjesë e tyre kanë përfunduar në zona të ndryshme konfliktesh dhe në duar të personave të paautorizuar.”

Autori i sulmit në supermarketin e Parisit, Amedy Coulibaly dhe të dyshuarit terroristë në qytetin belg Verveir thuhet të kenë patur gjithashtu armë automatike ushtarake.

Ekspertët thonë se sulmet e fundit sinjalizojnë ndoshta një ndryshim nga taktikat e mëparshme me shpërthime bombash. Tawfik Hammid punon në Institutin Potomac pranë Uashingtonit.

“Së pari, është më e lehtë të gjesh armë të tilla krahasuar me bombat. Kjo të jep mesazhin se ata mund të bëjnë më shumë dëme dhe më shumë sulme me to. Mund të shohim më shpesh sulme të tilla sesa me bomba.”

Zoti Hammid thotë se sulmet me armë automatike mund të ngjallin më shumë frikë dhe terror sesa bombat. Sulmi në revistën Charlie Hebdo e mbajti Parisin të ngujuar për disa ditë.

“Kjo mund të bëjë që të sulmojë një njeri i vetëm. Në se ai shpëton, mund të kryejë një sulm të dytë apo të tretë. Veçanërisht nëse veshin burkën apo diçka që mbulon fytyrën.”

Të dy ekspertët thonë se pakësimi i numrit të armëve në tregun e zi është pjesë e rëndësishme e luftës kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG