Lidhje

Piloti në trafik droge, ndalohen dy ushtarakë


Shqipëri, Shtabi i Përgjithshëm njoftoi se policia ushtarake kishte ndaluar një major dhe një kapiten pas dyshimeve për lidhje me majorin Sokol Feka i cili humbi jetën javën e shkuar në Spanjë

Në Shqipëri dy ushtarakë të forcave të Armatosura, një major dhe një kapiten janë ndaluar pasi dyshohet të kenë patur lidhje me majorin Sokol Feka, i cili humbi jetën javën e kaluar në Spanjë ndërsa po pilotonte një helikopter të ngarkuar me drogë. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë shqiptare të dy ushtarakët, për të cilët nuk jepen as emrat dhe as njësitë ku ata punojnë janë ndaluar nga policia ushtarake “për thyerje të rëndë të disiplinës. Për të hedhur dritë të plotë mbi dyshimet e ngritura, Policia Ushtarake po bën kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda”, vazhdon deklarata pa ofruar të dhëna të tjera. Ndërkohë sipas shtypit edhe disa ushtarakë të tjerë janë pezulluar nga detyra, mes të cilëve dhe dy inspektorë të policisë ushtarake të cilët kishin mes përgjegjësive të tjera edhe repartin e helikopterëve në Farkë të Tiranës, ku punonte majori Feka.

Piloti shqiptar ishte një ndër ushtarakët më me eksperiencë mes forcave ajrore të ushtrisë shqiptare. Ai punonte në ushtri prej 18 vitesh dhe kishte marrë një sërë trajnimesh dhe jashtë vendit. Pak vite më parë ai ishte ngritur në gradë, duke u bërë major. Ai kishte marrë lejen e zakonshme për gjysmën e dytë të Janarit, kur u largua jashtë vendit, pa marrë më parë autorizimin e autoriteteve, sic e kërkon disiplina ushtarake. Helikopteri të cilin Feka po drejtonte në Spanjë dyshohet se po trasportonte marijuhanë nga Maroku dhe se është qëlluar nga autoritetet spanjolle gjatë ndjekjes.

Rasti i pilotit Feka të përfshirë në një aktivitet të trafikut të drogës shkaktoi shumë polemika. Opozita u shpreh se ngjarja hidhte njollë mbi imazhin e ushtrisë shqiptare. Ajo kërkoi dhe një interpelancë me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e parashikuar për seancën e djeshme po e shtyrë për faktin se zonja Kodheli ndodhej në Bruksel në takimin e ministrave të Mbrojtjes së Natos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG