Lidhje

Bisedimet e paqes për Ukrainën


Negociatat mes presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës mbi një propozim për t'i dhënë fund kryengritjes 10-mujore të rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës pritet të rifillojnë nesër. Presidenti francez Francois Hollande tha se nisma francezo-gjermane është “një nga shanset e fundit” për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainën lindore. Kancelarja Merkel në Konferencën e Sigurisë në Munih tha se nuk është e qartë nëse plani i paqes do të jetë i suksesshëm. Ajo gjithashtu kundërshtoi idenë e armatosjes së Ukrainës nga Perëndimi duke thënë se dërgimi i armëve nuk do të zgjidhte konfliktin.
Sot në Konferencën e Sigurisë në Munih në praninë e Presidentit urkainas Petro Poroshenko, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se hyrja në betejë me Rusinë nuk do të zgjidhte konfliktin.

"Unë gjatë gjithë kohës bisedoj me presidentin ukrainas. Dhe unë e di që ne mund të kemi mendime të ndryshme mbi këtë çështje, por ushtarakisht kjo nuk mund të fitohet. Kjo është e vërteta e hidhur dhe realiteti i hidhur kështu që komuniteti ndërkombëtar duhet të dalë me jnë propozim më inteligjent dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ne të jemi të bashkuar, koheziv dhe të patundur në nismën tonë".

Sot më herët, kancelarja gjermane dhe presidenti francez u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për të diskutuar një plan për t'i dhënë fund konfliktit.

Zëdhënësi i zotit Putin i përshkroi negociatat fillestare si të dobishme, por ai nuk dha hollësi të tjera.

"Në bazë të propozimeve të paraqitura nga presidenti i Francës dhe kancelarja e Gjermanisë, puna për përgatitjen e tekstit të një dokumenti të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes së Minskut do të vazhdojë. Ky dokument do të përfshinte edhe propozimet e presidentit të Ukrainës".

Presidenti ukrainas Poroshenko tha dje se ai është i inkurajuar nga përpjekjet e bëra në drejtim të një armëpushimi.

"Më jep shpresa të forta se ne do të arrijmë rezultate, do të kemi një armëpushim, do të kemi përparim në procesin e paqes dhe kjo mund të na ndihmojnë shumë në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit".

Ukraina këmbëngul se çdo marrëveshje e re duhet të respektojë kufijtë e armëpushimit për të cilin u ra dakord në shtator dhe nuk mund të përfshijë territoret e fituar nga rebelët në javët e fundit.

Luftimet në Ukrainën lindore pranë kufirit rus u intensifikuan pas dështimit të nismës së fundit për paqe.

XS
SM
MD
LG