Lidhje

Nishani akuza të ashpra ndaj kryeministrit


Presidenti: Po organizon sulme politike dhe fyerje vulgare në parlament. Reagimi pas deklaratave të deputetit të PS Taulant Balla: Bashkëshortja e Nishanit pas pronarëve që i morën truallin famullisë katolike në Elbasan

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani akuzoi mbrëmë përmes një deklarate kryeministrin Edi Rama se është sipas tij organizator i sulmeve politike dhe fyerjeve vulgare në parlament ndaj kreut të Shtetit . Reagimi i presidentit Nishani erdhi pas deklaratave të deputetit socialist Taulant Balla lidhur me një letër që përfaqësuesit e të katër komuniteteve fetare në Elbasan i kishin drejtuar kryeministrit duke kundërshtuar një vendim të Gjykatës së Lartë sipas të cilit trualli mbi të cilin është ndërtuar famullia katolike Shën Piu X, blerë nga shteti shqiptar që para 20 vitesh, duhet t’i kthehej pronarëve. Sipas përfaqësuesve fetarë, "njerëz me pushtet" kishin ndërhyrë pranë gjykatës për vendimin e marrë në favor të pronarëve.

Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se ata pretendojnë se pronësia e truallit i është njohur famijes së bashkëshortes së presidentit. Ndërsa ju drejtua opozitës se përse nuk shprehej për një rast të tillë, deputeti socialist e cilësoi presidentin Nishani "një ushtar të së djathtës".

Reagimi i presidentit Nishani ishte me tonë mjaft të ashpra e të drejtuara direkt ndaj kryeministrit Rama. “Prej gati dy vitesh, Presidenti i Republikës gjendet nën një fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë. Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës është e paimagjinueshme në një vend normal”, shkruhet në deklaratën e Kreut të Shtetit.

Sipas presidentit Nishani e gjitha jo ndodh sepse “Kryeministri nuk po mundet të marrë nën kontroll Institucionin e Presidentit të Republikës. Shpifjet e ulëta dhe denigruese të urdhëruara nga Kryeministri i vendit sot në aulën e Parlamentit si një hakmarrje ndaj qëndrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe dinjitetit të shtetit të shqiptarëve nuk do munden dot të nëpërkëmbin dhe asgjësojnë Institucionin e Kreut të Shtetit. Autoritarizmi nuk do ta mundë dot lirinë dhe demokracinë të cilat shqiptarët i kanë fituar pas vuajtjesh dhe sakrificash të mëdha”, nënvizohet në deklaratë.

Marrëdhëniet mes shumicës së majtë dhe kreut të Shtetit nuk kanë qenë asnjëherë të qeta. Por reagimi i mbrëmshëm është ndër më të ashprit të shprehur deri më tani nga Presidenti Nishani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG