Lidhje

Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë po takohen sot për të nisur diskutimet teknike mbi kërkesën e Athinës për të shkurtuar borxhin e saj të madh dhe lehtësuar masat shtrënguese. Zyrtarët evropianë thanë se takimi i sotëm synon të gjendet gjuha e përbashkët mes Greqisë dhe qëndrimit deri tani të pandryshuar të Evropës për kushtet e kredive që kapim më shumë se 300 miliard dollarë.

Ndërsa merrte pjesë për herë të parë në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, kryeministri majtist i Greqisë, Alexis Tsipras arriti marrëveshje që zyrtarët grekë të takoheshinj me përfaqësuesit e eurozonës, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

"Kalimi nga programi ekzistues i shpëtimit financiar drejt një programi të ri është subjekt kryesor i negociatave tona dhe do të jetë tema kryesore e takimit të ardhshëm Eurogrupit. Delegacioni grek do të marrë pjesë në këto takime me propozime të qarta, ne do të përpiqemi të bindim partnerët rreth propozimit tonë dhe pa shantazh, do të përpiqemi t'i bindim në lidhje me propozimin tonë. ''

Greqia dëshiron që kreditorët t'i japin asaj një kredi kalimtare për disa muaj. Athina thotë se ka nevojë për kohë për të negociuar mbi ndryshimet në planin shtrëngues që i është imponuar. Ky plan ka çuar në shkurtimin e pagave dhe pensioneve, rritjen e taksave dhe pushimin e mijëra nëpunësve civilë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel foli me optimizëm. Evropa, tha ajo, gjithmonë ka qenë e orientuar drejt gjetjes së kompromiseve.

"I thashë kryeministrit grek se nga ana ime, ka gatishmëri të plotë për të punuar së bashku dhe ai më tha të njëjtën gjë. Tani ne do t'u hedhim një vështrim pikave të ndryshme ku do të duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët."

Ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem tha se takimi i sotëm është projektuar për të gjetur gjuhën e përbashkët mes synimit të Greqisë për t'i dhënë fund shtrëngimit financiar që ajo e sheh si paralizues dhe qëndrimit të palëkundur të Evropës për të mos ndryshuar kushteve e kredive që arrijnë më shumë se 300 miliard dollarë.

Qeveria radikale e Greqisë ka kërcënuar se do të kërkojë para nga Rusia dhe Kina për të shmangur një krizë financiare. Zyrtarët grekë thonë se kohët e fundit ka pasur oferta nga këto dy vende për ndihmë financiare dhe investime, megjithëse Greqia nuk kishte bërë ndonjë kërkesë të tillë.

Të mërkurën, pas takimit në Moskë me ministrin e jashtëm grek Nikos Kotzias, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska do ta merrte në shqyrtim një kërkesë për ndihmë financiare nëse ajo bëhej nga Athina.

XS
SM
MD
LG