Lidhje

Trazirat në Jemen


Thousands protest against Houthis in Sana'a, Yemen, Feb. 11, 2015. (Photo: Z. al-Alyaa for VOA)

Thousands protest against Houthis in Sana'a, Yemen, Feb. 11, 2015. (Photo: Z. al-Alyaa for VOA)

Pas disa muajsh trazirash dhe dorëheqjes së presidentit muajin e kaluar, Jemeni duket se është zhytur në kolaps, ndërkohë që grupimet e ndryshme të popullsisë nuk po arrijnë në një gjuhë të përbashkët. Rebelët huthi kanë marrë nën kontroll kryeqytetin Sanaa, duke shkaktuar protesta nga grupet rivale, si dhe nga mbështetësit. Udhëheqësit e tyre thonë se duan ta ndajnë pushtetin me të tjerët në Jemen, por nuk ka patur hapa të dukshëm në këtë drejtim.

Mijëra protestues kanë marshuar në Sanaa dhe qytete të tjera të Jemenit kundër marrjes së pushtetit nga huthitë. Udhëheqësit e këtij fraksioni shiit të ardhur nga malet e veriut kanë hyrë në pallatin presidencial. Ata kanë shpërbërë qeverinë dhe po krijojnë një këshill të ri për të drejtuar vendin. Ata kanë mbështetës edhe në kryeqytetin Sanaa.

Kreu i zyrës së huthive për mediat i tha Zërit të Amerikës se largimi i diplomatëve të huaj nuk do të ketë ndikim tek situata në Jemen.

“Mbyllja e këtyre ambasadave në Sanaa bëhet sepse ata zbuluan që nuk kanë fuqi të kontrollojnë vullnetin e popullit të Jemenit, i cili është kundër ndërhyrjes së huaj.”

Huthitë konfiskuan makinat e ambasadës amerikane në aeroport. Ata thonë se do t’ia dorëzojnë Kombeve të Bashkuara.

Spekulohet se Irani po i armatos rebelët dhe po drejton lëvizjet e tyre. Një zëdhënëse e qeverisë amerikane u shpreh se nuk ka prova të qarta për këtë.

“Huthis kanë një marrëdhënie me Iranin, që përbën shqetësim, dhe ne jemi të informuar për mbështetje të shumëllojshme të ofruar huthive nga Irani, por nuk kemi parë ndonjë provë se Irani komandon dhe kontrollon aktivitetin e huthive në Jemen.”

Presidenti i Jemenit, Abd Rabbuh Mansour Hadi, dha dorëheqjen muajin e kaluar pasi huthitë mësynë pallatin presidencial. Ai është një ish-ushtarak që kryesonte një qeveri të bashkimit kombëtar dhe ishte një aleat i SHBA-së në fushatën kundër terrorizmit. Largimi i tij ngre frikën se al-Kaida do të përdorë trazirat politika në avantazhin e saj.

Udhëheqësit huthi janë shprehur se janë të gatshëm të ndajnë pushtetin me rivalët dhe të bashkëpunojnë me aleatët tradicionalë të Jemenit, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, mbështetësit e tyre mbajnë parrulla me mesazhe anti-amerikane. Gjithashtu, ndërsa paralajmërojnë se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për të destabilizuar vendin, nga ana e tyre ata duket se po bëjnë pikërisht këtë gjë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se Jemeni është në prag të luftës civile.

“Jemeni po shkatërrohet përpara syve tanë. Nuk mundemi të qëndrojmë duke vëzhguar. Vendi po përballet me sfida të shumta. Një krizë e rrezikshme politike vazhdon në Sanaa. Presidenti Hadi dhe kryeministri janë larguar nga detyra.”

Zoti Ban bëri thirrje për lirinë e lëvizjes së presidentit të Jemenit, kryeministrit dhe zyrtarëve të kabinetit qeveritar që janë dorëhequr. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës për shpërndarjen e demonstruesve paqësorë, si dhe për arrestime të aktivistëve të shoqërisë civile dhe të gazetarëve.

XS
SM
MD
LG