Lidhje

Një i vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm në Kopenhagë


Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt e quajti sulmin vdekjeprurës të së shtunës në një aktivitet për lirinë e fjalës në Kopenhagë, një sulm terrorist.

Kryeministrja lëshoi një deklaratë pak pasi një person humbi jetën, nga një breshëri plumbash në një lokal ku pritej të fliste karikaturisti suedez Lars Viks.

Zonja Thorning-Schmidt shtoi se e gjithë Danimarka është në gatishmëri të lartë dhe policia është dilokuar në gjithë vendin.

Viks njihet për karikatura provokuese, përfshirë një karikaturë në vitin 2007 që e portretizon Profetin Muhamed me trupin e një qeni. Që në atë kohë ai ka jetuar nën mbrojtjen e masave të rrepta të sigurisë.

Vilks nuk pësoi dëmtime nga sulmi, ashtu si edhe Ambasadori i Francës në Danimarkë, Francois Zimeray, por një zëdhënës i shoqatës që kishte organizuar aktivitetin, e quajti aktin, një atentat ndaj jetës së Vilksit.

Dëshmitarët thanë se persona të armatosur hapën zjarr dhe pastaj u larguan me një makinë me ngjyrë të errët. Vendndodhja e tyre është ende e panjohur.

Ambasadori Zimeray ishte parashikuar të fliste për sulmet e muajit të fundit në Paris ndaj revistës Charlie Hebdo dhe një dyqani hebraik. Sulmet e kryera nga ekstremistë myslimanë shkaktuan vdekjen e 20 personave, përfshirë autorët.

Presidenti francez, Francois Hollandë tha se do të dërgojë në Danimarkë Ministrin e Brendshëm Bernard Cazeneuve.

Kryebashkiaku i Kopenhagës Frank Jensen tha se është “thellësisht i indinjuar” nga sulmi. Ai tha se është herët që të dihet motivi por shtoi se “duket për fat të keq të jetë një sulm i dhunshëm ndaj lirisë së shprehjes”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG