Lidhje

Komunitetet myslimane dhe ekstremizmi


Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po punojnë për të ndaluar rrjedhën e luftëtarëve të huaj drejt Irakut dhe Sirisë, komunitetet myslimane gjenden në vështirësi. Aktivistët thonë se shumë komunitete myslimane, në veçanti në Evropë, po shikojnë se si grupime ekstremiste, si Shteti Islamik, po rekrutojnë të rinjtë e tyre. Shumë kanë pikëpyetjen nëse këto komunitete kanë fuqinë dhe burimet për ta ndaluar këtë fenomen.

Qyteti i Oslos, në Norvegji, është ndër vendet e shumta në Evropë që për myslimanët është shtëpia tyre. Si në shumë komunitete të tilla, myslimanët e Norvegjisë po përpiqen t’i mbajnë të rinjtë larg kthetrave të grupeve si Shteti Islamik.

“Udhëheqësit e këtyre komuniteteve janë si punonjësit më të mirë socialë të botës”, thotë Yousef Bartho Assidiq, i projektit “Minotek” kundër radikalizimit dhe ekstremizmit.

Tashmë një aktivist në mediat sociale, zoti Assidiq është rekrutuar vetë dikur nga ekstremistët.

“Këta të rinj kanë nevojë të merren me diçka çdo ditë. Është e pamundur për një xhami të ofrojë aktivitete kaq të shpeshta”, thotë ai.

Ekspertët thonë se komunitetet myslimane në Evropë përballen me disa sfida. Ata janë shpesh të ndarë sipas përbërjes etnike.

Megjithë një nivel mbështetjeje publike pas sulmeve të fundit terroriste në Francë dhe gjetiu, ndihma prej qeverive ka qenë e paqëndrueshme, në veçanti për sa i përket të rinjve, thotë profesorja Kelly Pemberton e Universitetit George Washington.

“Pjesë e tërheqjes që ofrojnë ideologjitë ekstremiste ka të bëjë me izolimin në shoqërinë evropiane, diskriminimin me të cilin shumë prej tyre përballen.”

Me një kundërreagim në rritje, zonja Pemberton thotë me shqetësim se mbështetja mund të mos arrijë në kohë.

Ky sfond është në kontrast me sigurinë dhe përfshirjen që fëmijët myslimanë me prejardhje të ndryshme ndiejnë në qytetin Sterling, në shtetin Virxhinia të SHBA-së, në shoqatën myslimane All Dulles Area, ndërkohë që po mësojnë si të shesin ëmbëlsirat e përgatitura nga Girl Scouts.

Prindër si Hasan Altalib janë mirënjohës.

“Na bën të ndjehemi vërtet të sigurtë dhe na garanton neve si prindër se kemi qasje në sistem.”

Qendra si kjo, që ofrojnë aktivitete të shumta, shikohen si një shenjë e suksesit që myslimanët kanë patur në Amerikë. Tashmë disa organizata të këtushme dëshirojnë ta eksportojnë këtë sukses drejt Evropës.

Një grup i tillë është Shoqëria Islamike e Amerikës së Veriut, Zyra për Aleancat Ndërfetare dhe Komunitetet, e udhëhequr nga Sayyid Syeed, i cili thotë se edhe komunitetet myslimane në Evropë duhet të marrin vetë iniciativën.

“Nuk është e lehtë të rikrijosh identitetin tënd, në veçanti nëse njerëzit flasin gjuhë të ndryshme, dhe vazhdojnë të ruajnë lidhjet e tyre me vendet e origjinës pa bërë ndërkohë ndonjë përpjekje të veçantë.”

Zoti Syeed ka udhëtuar disa herë drejt Evropës për të krijuar konktate me synimin për të ndihmuar. Shqetësimi është se për disa të rinj myslimanë, mund të jetë vonë.

“Nëse janë të izoluar dhe të vetmuar, atëherë iu kthehen këtyre alternativave të tjera që gjejnë në internet.”

Është një alternativë me të cilën këto familje myslimane në Virxhinia shpresojnë se fëmijët e tyre nuk do të afrohen kurrë.

XS
SM
MD
LG