Lidhje

Gjermania kundër propozimit grek për borxhet


Gjermania hodhi poshtë sot propozimin e Greqisë për një zgjatje gjashtë mujore të pagesës së borxheve aktuale që ka marrë në kuadër të paketës së shpëtimit. Pas paraqitjes zyrtare të propoziit grek, Gjermania reagoi negativisht duke thënë se ai nuk është i mjaftueshëm për arritjen e një marrëveshjeje.

Jeroen Dijsselbloem, i cili drejton grupin e ministrave të financave të eurozonës njoftoi përmes Twitter-it, "se mori kërkesën e Greqisë për një zgjatje gjashtë mujore të paketës së borxheve”, por nuk dha hollësi të tjera.

Zyrtarë të BE-së më pas thanë se ministrat e financave të eurozonës do të takohen të premten për të diskutuar rreth kërkesës për zgjatje e paketës së shpëtimit.

Duke reaguar ndaj kërkesës së Greqisë, Gjermania tha se nuk është një propozim “i arsyeshëm” për një zgjidhje.

Një zëdhënës i ministrit gjerman të financave Wolfgang Schaeuble shpjegoi se “në të vërtetë propozimi grek synon një urë financimi, pa përmbushur kërkesat e programit, pa përmbushur kriteret për të cilat u ra dakort në Eurogrup të hënën."

Gjermania, kreditori kryesor evropian, ka përsëritur vazhdimisht se çdo zgjatje e huasë do të ishte e lidhur me reformat e rëna dakort me qeverinë e mëparshme greke. Në përgjithësi, Gjermania ka mbajtur pozicion të pandryshuar se ndihma për vendet në vështirësi duhet të përmbushë kërkesat.

Oliver Roth është analist i tregjeve të aksioneve.

"Personalisht mendoj se Greqia nuk ka alternativë tjetër veçse të arrijë një marrëveshje me BE-në. Në fund të fundit, borxhi prej 300 miliardë eurosh duhet të paguhet, përndryshe Greqia do të falimentojë. Kjo do të thotë falimentim për sistemin bankar dhe një sprapsje serioze për gjithë zhvillimin ekonomik të Greqisë. Kjo është arsyeja përse Greqia ka një interes të madh për të marrë shpejt paratë nga BE-ja. ''

Ministri grek Yanis Varoufakis tha se është optimist se Greqia do të marrë një zgjatje dhe do të shmangë falimentimin.

Sekretari amerikan i Thesarit Jacob Lew foli dje në telefon me zotin Varoufakis duke i bërë thirrje të punojë për një kompromis.

Kryeministri i ri grek Alexis Tsipras bëri fushatë mbi premtimin për të rinegociuar paketën prej 270 milirdë dollarë të shpëtimit. Ai tha se kushtet e rëna dakort nga qeveria e qëndrës së djathtë e kanë bërë të vështirë jetën për shumë grekë.

Greqia ka afat deri në fund të muajit të paguajë huadhënësit evropianë ose të negociojë një marrëveshje të re. Dështimi do të thotë falimentim dhe dalje nga eurozona.

XS
SM
MD
LG