Lidhje

Obama: Terroristët përdorin Islamin si justifikim për dhunën


Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi sot se çdo pretendim nga grupet terroriste se vendet perëndimore janë duke zhvilluar luftë kundër Islamit, është një “gënjeshtër e shëmtuar”.

Në fjalimin që mbajti të enjten në Uashington në takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi përpjekjen ndërkombëtare kundër terrorizmit, zoti Obama u zotua për një luftë të papajtueshme kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste. Ai e hodhi poshtë idenë se vendet perëndimore të krishtera dhe shteti hebraik janë duke zhvilluar luftë kundër myslimanëve.

Zoti Obama tha se qeveritë dhe kulturat e ndryshme të botës duhet të përpiqen që t’u jepet fund konflikteve sektare, siç është ai mes sunive dhe shiitëve në botën myslimane. “Por udhëheqësit botërorë, - tha ai, - duhet t’i ndihmojnë njerëzit që t’u shpëtojnë varfërisë dhe shtypjes, për të cilat ai tha se i shërbejnë përpjekjeve për rekrutimin e terroristëve”.

Presidenti tha se të rinjve në mbarë botën “ua mësojnë urrejtjen” dhe se “jemi ne të rriturit që i mësojmë ata”, - tha Presidenti.

Zoti Obama e mbajti fjalimin në Takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm, pas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Takimi u mbajt në Departamentin amerikan të Shtetit.

Udhëheqësi i OKB-së i cilësoi veprimet e dhunshme të Shtetit Islamik dhe të grupit Boko Haram “një kërcënim i rëndë ndaj paqes dhe sigurisë botërore”, por shtoi ai, “qeveritë në mbarë botën janë ato që duhen dënuar shpesh se ushqejnë apelin e grupeve terroriste drejt tiranizimit”. “Dhuna, korrupsioni dhe padrejtësitë shërbejnë si fole për krijimin e pakënaqësive”, - tha zoti Ban.

Zoti Ban i tha zyrtarëve të mbi 60 vendeve të botës se “parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitja e të drejtave të njeriut janë të pandara”, por se “lufta kundër terrorizmit nuk mund të përdoret si një mënyrë për t’i bërë të heshtin kritikët e udhëheqësve të veçantë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG