Lidhje

Fenomeni i gjakmarrjes


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, tha sot gjatë një takimi me trupën e prokurorëve të Shkodrës se janë evidentuar të gjitha familjet e prekura nga fenomeni i gjakmarrjes dhe ai i ngujimit. Zoti Llalla, i cili shoqërohej në Shkodër nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, tha se prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore kanë marrë kontakte me të gjitha familjet, të cilat që nga viti 1990 e në vazhdim, janë përfshirë ne konflikte të shoqëruar me fenomenin e ngujimit. Zoti Llalla tha se është detyrë e prokurorëve që të parandalojnë dhe ndëshkojnë të gjithë ata individë, që marrin nisma për të kryer vepra penale, si ato të gjakmarrjes apo ngujimit.

Ndërsa Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, foli në takim mbi nevojën e rritjes së peshës dhe funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, me synim që të veprohet me më shumë shpejtësi në luftën kundër krimit, i cili, u shpreh ai, në kushtet aktuale kërkon një reagim sa më të shpejtë. Zoti Zaganjori tha se duhet më shumë bashkëpunim brenda strukturave të drejtësisë, si dhe me dy pushtetet e tjera të legjislativit dhe ekzekutivit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG