Lidhje

NASA, 5 misione për studimin e tokës


Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, është duke i dhënë fund periudhës së saj 12-mujore më të ngarkuar në më shumë se një dekadë, pas realizimit të katër misioneve në vitin 2014 dhe përgatitjes së misionit të pestë të planifikuar për më 29 janar. Siç njofton korrespondejta e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, instrumentet që do të dergohen në orbitë do të studiojnë sistemet vitale të Tokës që mbështesin jetën dhe se si po reagojnë ato ndaj ngrohjes së planetit.

Sondat e fundit të flotës së NASA-s e sjellin në 18 numrin e instrumenteve që vëzhgojnë tokën.

Së pari, në shkurt të vitit të kaluar filluam misionin GPM ose Matja e Reshjeve Globale, thotë shkencëtari i NASA-s, Tom Wagner.

"Ky sistem do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë reshjet, do të jetë në gjendje të masë nivelin e borës në atmosferë, dhe në përgjithësi do të përmirësojë njohurinë tonë mbi reshjet".

GPM u pasua nga misioni për vëzhgimin e dioksidit të karbonit orbital ose OCO-2. Zoti Wagner thotë se kjo është e rëndësishme, duke patur parasysh se lirimi i dioksidit të karbonit është kontribuesi kryesor i ngrohjes globale.

"Një nga gjërat më të rëndësishme që ne kemi nevojë të dijmë është se nga vjenë dioksidi i karbonit dhe ku po shkon. A thithet nga oqeani? A po lirohet nga tharja e Arktikut? Dhe, në qoftë se ne duam të kuptojmë se ku do të jetë planeti ynë në 50 ose 100 vjet, në duhet ti kuptojmë këto lloje të proceseve".

Në vitin e fundit, janë montuar dy instrumente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

"Është hera e parë që ne jemi duke vënë instrumente në Stacionin Hapësinor për të vëzhguar Tokën. Stacioni i hapësirës është një platformë e rëndësishme sepse ka shumë energji".

Një nga instrumentet quhet RapidScat. Nga pozita e tij fikse jashtë stacionit hapësinor, ai dokumenton shpejtësinë e erërave që lëvizin në sipërfaqe të oqeanit, duke siguruar të dhëna të cilat mund të përmirësojnë modelet klimatike dhe parashikimin e motit. Instrumenti tjetër quhet CATS.

"Ky instrument përmes lazerave do të përpiqet të kuptojë marrëdhëniet mes ndotësve dhe grimcave të tjera dhe formimit të reve".

Sateliti tjetër që do të dërgohet në orbit quhet SMAP dhe do të analizojë lagështinë. Fokusi i tij është cikli i ujit, një element kritik për jetën në planet. Zoti Wagner thotë se SMAP dhe mjetet e tjera do të monitorojnë shëndetin e sistemeve jetike të Tokës.

"Fakti i thjeshtë është se Toka është e gjitha e ndërlidhur. Në qoftë se dëshironi ta kuptoni atë, ju duhet të bëni matje në mbarë planetin, gjatë gjithë kohës, për ta kuptuar më mirë atë që po ndodh. Dhe satelitët janë një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë".

Shkenctari i NASA-s Tom Wagner thotë se nga arkiva e madhe e të dhënave që vijnë nga satelitët përfitojnë parashikuesit e motit dhe shkencëtarët që përdorin modelet e parashikimit të motit. Të dhënat e NASA-s ndihmojnë edhe fermerët dhe menaxhuesit e oqeaneve dhe tokës që të marrin vendime më të mira në përgjigje të ngrohjes globale.

XS
SM
MD
LG