Lidhje

Nadeem Ilahi: Masat shtrënguese nga qeveria shqiptare, të domosdoshme


Zëri i Amerikës: FMN-ja miratoi këstin e dytë dhe të tretë të programit të ndihmës për Shqipërinë që do të lejojë pagesën prej 53 milion eurosh. Ku do të shkojnë këto fonde, ku do t’i përdorë ato qeveria?

Nadeem Ilahi: Rreth 58 milion euro. Ashtu si më parë, fondet do të jenë të gatshme për qeverinë për t’i përdorur për qëllime buxhetore dhe financiare. Këtu përfshihen dy rishikimet së bashku, kështu që pagesa është më e madhe, por ashtu si edhe më parë do të përdoren për nevojat financiare për këtë vit. Mbështetja e FMN-së është në pjesën më të madhe për financimin e buxhetit dhe është në dorën e qeverisë të vendosë ku do t’i përdorë fondet. Sigurisht, si pjesë e kësaj ne duhet të diskutojmë me qeverinë për buxhetin, të ardhurat dhe shpenzimet e nivelet e tyre dhe sa duhet të jetë deficiti.

Interviste me Nadeem Ilahi, FMN
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:17 0:00

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni ecurinë ekonomike të vendit gjatë 2015-ës?

Nadeem Ilahi: 2015-a deri tani ka ecur mirë. Kemi hyrë kështu në periudhën pas një viti reformash të qeverisë. Ekonomia po mëkëmbet, ka shenja të qarta të kësaj. E shohim këtë jo vetëm në shifrat e rritjes, por edhe në besimin e biznesit: konsumi po rritet, ka një rigjallërim të aktivitetit ekonomik. Por ka një pikëpyetje për sa po ndodh jashtë vendit, veçanërisht në zonën e euros, në Greqi këto ditë dhe këto janë shqetësime, por në të njëjtën kohë ne vlerësojmë se ajo që kemi thënë për parashikimin e rritjes këtë vit, që është rreth 3 përqind, duhet të jetë e realizueshme. Ka disa motorë të ekonomisë për ta bërë këtë rritje të mundur. Megjithatë do të thosha se është shumë shpejt për të parashikuar gjithë vitin. Mendoj gjithashtu se ka një besim se qeveria po ndërmerr një program reformash që nisën në fillim të vitit 2014 dhe sipas marrëveshjes të FMN-së, negociatat buxhetore që patëm me ta do të sigurojnë që pakësimi i borxhit publik të vazhdojë në të ardhmen. Nga kjo pikëpamje, gjërat janë në nivelin e duhur. Reformat strukturore kanë ecur mirë, si në fushën e taksave, të sektorit financiar edhe në fushën e menaxhimit të financave publike. Pra nga pikëpamja jonë ecuria deri tani ka qënë mjaft e mirë.

Zëri i Amerikës: Kritikët megjithatë thonë se FMN-ja po vendos politika që sigurojnë parametrat makro-ekonomikë, por që po dëmtojnë ekonominë. Si u përgjigjeni ju kritikave të tilla?

Nadeem Ilahi: Për këtë duhet të shtrojmë pyetjen: çfarë do të ndodhte nëse nuk vendosnim politika të tilla. E dimë se çfarë ka ndodhur me vende të tjera dhe çfarë ka ndodhur me Shqipërinë në të kaluarën kur ka patur mungesë të qëndrueshmërisë së buxhetit dhe kur ka defiçit e borxh të lartë. Kjo barrë u kalon brezave të ardhshëm. Pikëpamja jonë është se politikat ekonomike të përgjegjëshme kërkojnë realizimin e një programi ekonomik që përputhet me mundësitë. Ka rrugë të tjera për të arritur rritje ekonomike dhe të ardhura në Shqipëri, si reformat strukturore, apo heqja e pengesave të zhvillimit. Shpenzime më të mëdha publike, taksa më të ulta japin një farë rezultati në aspektin afatshkurtër, por nuk është e qartë nëse kjo ndihmon në aspektin afatgjatë. Më lejoni të shtoj se ne jemi treguar të kujdesshëm për nivelin e përmirësimit fiskal që Shqipëria duhet të bëjë çdo vit. Ekonomia është ende e dobët; ajo po mëkëmbet mirë, por është ende e dobët. Në pikëpamjen tonë po operon nën potencialin që ka, pra nuk duhet të dëmtohet apo të ngadalësohet. Pra kemi qënë të kujdesshëm për të mos bërë një përshtatje të theksuar fiskale por jo edhe shumë të vogël për të mos sjellë ndryshim. Kjo është më shumë art sesa shkencë, por mendoj se në fund të fundit Shqipëria po performon mirë sipas programit të FMN-së në mënyrë që ekonomia të bëjë kthese dhe disbalancat e krijuara për shkak të borxhit të eliminohen.

Zëri i Amerikës: Eksportet pritet të jenë një mbështetje për të arritur rritjen ekonomike. Megjithatë në vitin 2014 ato u rritën me vetëm 3,6 përqind, niveli më i ulët ky gjatë viteve të fundit. Nga ana tjetër, struktura e eksporteve shqiptare është e kufizuar. Një nga zërat kryesorë është nafta dhe me çmimet siç e dimë të ulta, disa nga kompanitë që operojnë në vend kanë pakësuar prodhimin. Si do të ndikojë kjo situatë në rritjen ekonomike?

Nadeem Ilahi: Çështja e eksportit është e dyanëshme. Njëra është nafta që ka qënë mjaft mirë gjatë viteve të fundit dhe që mbështeti ekonominë shqiptare në një kohë që Evropa ishte shumë dobët gjatë katër pesë viteve të fundit. Ashtu siç e përshkruani ju, me çmimet e ulta prodhimi ka rënë dhe ne e prisnim këtë. Në të njëjtën kohë, diçka që humbet dhe ne e theksojmë këtë në raportin tonë të misionit, është ideja se eksportet e tjera, si ato të tekstileve përshembull, kanë qënë mjaft mirë. Ato nuk janë aq të mëdha sa nafta por është një fushë ku Shqipëria mund të përfitojë në të ardhmen. Shumë nga këto eksporte shkojnë në Itali por që aty edhe në vende të tjera të botës. Dhe nga kjo pikëpamje ulja e rritjes ekonomike në Evropë nuk i ngadalëson këto eksporte. A do të thotë kjo se këto eksporte do të shtohen? Përgjigja është jo. Por ka shumë gjëra që shqiptarët duhet të bëjnë për të përmirësuar mjedisin e biznesit ku mund të vijnë investitorë për të investuar në këto aktivitete. Ka një axhendë të madhe për çfarë duhet të bëjnë shqiptarët dhe më e rëndësishmja është çështja e së drejtës së pronës që bëhet shumë e vështirë për investitorët për ta parë këtë ekonomi si të përshtatshme për investime afatgjata kur nuk kanë siguri për të drejtën e tokës dhe atë të qiramarrjes. Pra ka nevojë për këto reforma. Sigurisht që në raportin e fundit “Si të bësh biznes” shifrat ishin të mira, pra gjërat janë në rrugën e duhur, duket se ka përmirësim, por mendoj se Shqipëria ka një rrugë të gjatë përpara për të krijuar një stukturë të eksporteve që duhet zgjeruar. Pikëpamja jonë është se investitorët mund të shohin se ka stabilitet makro-ekonomik, rritja ekonomike po shtohet, dhe megjithëse Evropa është e dobët ekonomikisht ka vende të tjera ku të eksportohet – ky është dinamizmi që presim të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Ka patur një debat të gjatë në Shqipëri lidhur me vendimin e fundit të qeverisë për të rritur përsëri taksat mbi karburantet. A ishte kjo qasja e duhur sipas jush nga qeveria?

Nadeem Ilahi: Pikëpamja jonë është se në mënyrë që Shqipëria të pakësojë borxhin duhet të mbajë nën kontroll deficitin dhe kjo mund të arrihet duhet rritur të ardhurat ose duke pakësuar shpenzimet qeveritare. Shqipëria tradicionalisht ka patur shpenzime qeveritare mjaft të ulta në raport me GDP-në, ndoshta më të ultat në Ballkan. Pra ka shumë pak vend për të shkurtuar shpenzimet. Ka disa shpenzime që nuk janë të targetuara mirë përshembull ato për personat me aftësi të kufizuar. Pra nuk mund të kursesh shumë aty. Dhe kur të ardhurat janë gjithashtu të ulta në krahasim me GDP-në, duhet të diskutonim me qeverinë për të patur kursime dhe ata zgjodhën taksën mbi karburantin që është një instrument i përdorur zakonisht dhe kështu çmimet e naftës ranë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë rënia e çmimit botëror të naftës nuk reflektohet në çmimin e tregut në Shqipëri për shumë arsye siç e dini ju.

Nadeem Ilahi: Po. Në këtë raport filluam të studiojmë ndryshimet e çmimit botëror në tregun shqiptar dhe pamë se tradicionalisht, nëse kthehesh katër apo pesë vjet më pas, çmimi në tregun e vendit nuk lëviz shumë në varësi të çmimeve botërore. Kemi parë një rënie gjatë muajve të fundit por jo aq sa sheh në vende të tjera.

Zëri i Amerikës: Përse ndodh kjo sipas jush?

Nadeem Ilahi: Nuk është e qartë. Është diçka që duhet të diskutojmë më gjerë gjatë misionit të ardhshëm. Mendojmë se ka një sërë faktorësh dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend në botë ku ndodh një gjë e tillë, mund të ketë një lloj shtrembërimi në treg, mund të ketë struktura marketingu që nuk lejojnë luhatjen e çmimit. Në shumë vende, qeveritë kontrollojnë çmimin dhe prandaj ato nuk ndryshojnë. Nuk mendoj se ky është skenari në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ndoshta është çështje monopoli ku pak kompani kanë të drejtë të importojnë duke mbajtur çmimin fiktiv?

Nadeem Ilahi: Ndoshta. Kjo është një çëshje që do ta shikojmë me kujdes gjatë misionit të ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Qytetarët po ankohen për taksat e larta të karburantit, ata paguajnë shumë më tepër për energjinë, është një barrë e madhe dhe njerëzit nuk janë të kënaqur.

Nadeem Ilahi: Po sigurisht, dikush duhet të paguajë për përshtatjen fiskale, dhe në fund të fundit ky është një vendim që duhet ta marrë vendi. Nuk mendoj se rritja e taksës të karburantit nuk ishte shumë e madhe. Energjia siç e përmendët u rrit përsëri dhe çmimi është i lartë. Ata që vjedhin energjinë elektrike në fakt u bëhen barrë atyre që e paguajnë atë. Prandaj, përsa i përket reformës së energjisë elektrike mendoj se kemi një element më të madh barazie, sepse tani çdo njeri që konsumon duhet të paguajë që sistemi të funksionojë, ndërsa më parë sistemi nuk funksiononte. Natyrisht që kjo është një barrë, por me rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, njerëzit do të kenë një farë lehtësimi nga të ardhurat për të paguar për këtë. Dhe shpresoj se kështu do të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket problemit të informalitetit, a mendoni se qeveria po e trajton si duhet? A është përqendruar ajo më shumë te rritja e taksave se sa te lufta me informalitetin?

Nadeem Ilahi: Informaliteti është një temë e gjerë. Është e vërtetë se qeveria ka rritur taksat që nga fillimi i vitit 2014. Por ajo që nuk vihet re janë masat që po merren për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave. Mendoj se kjo është e konsiderueshme. Për shembull, futja e sistemit të pagimit të taksave online e përmirëson mjedisin për taksapaguesit, e ul barrën për ta dhe pakëson mundësinë për korrupsion. Me fjalët të tjera, kjo është një situatë me përfitime për të gjithë. Këto kanë një efekt të madh që njerëzit ta kuptojnë se formaliteti jep fryte; ai të jep akses në një treg më të madh pa rritur shumë kostot. Pra, ajo që po bëhet në administratën e taksave në Shqipëri do të ketë ndikime pozitive në vështrimin afatgjatë. Ka ende shumë punë për të bërë. Por ne duhet t'i mbushim këto boshllëqe, sepse përndryshe mund të vazhdosh të rrisësh taksat dhe asgjë të mos arrihet.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket investimeve, që janë një mjet i rëndësishëm për rritjen, qeveria nuk e ka përmbushur objektivin, siç ishte parashikuar. Cili është komenti juaj?

Nadeem Ilahi: Ne vazhdojmë të analizojmë shifrat por na duket se shpenzimet kapitale për fundin e vitit të kaluar nuk janë aq të ulta sa mendonim. Muajt e fundit gjërat u shpejtuan. Por ka rëndësi edhe cilësia e shpenzimeve. Në këtë aspekt ne po punojmë me qeverinë për të përmirësuar shpenzimet kapitale. Natyrisht kjo është një fushë me të cilën merret Banka Botëtore, por kur kemi të bëjmë me shpenzime të mëdha, përfshihet edhe Fondi Monetar, sepse ato kanë ndikim mbi buxhetin.

Zëri i Amerikës: Çfarë projektesh do të dëshironit të shihnit që të ndiqeshin nga qeveria për të siguruar rritje?

Nadeem Ilahi: Ne nuk kemi një pikëpamje mbi projekte të caktuar dhe konkretë. Pikëpamja jonë është se procesi duhet të jetë transparent, profesional dhe i bërë në një mënyrë të tillë që të ketë një seri përparësish dhe projektet të zgjidhen në bazë të atyre përparësive. Pra, ne kërkojmë një disiplinë buxhetore që të respektohet nga qeveria, ku të mos ngrihen pikëpyetje mbi natyrën e shpenzimeve. Mendoj se kjo ka shumë rëndësi për të ndërtuar besimin e publikut në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Niveli i kreditit në Shqipëri mbetet i ulët dhe bankat ngurrojnë të japin kredi; nga ana tjetër kërkesa ka rënë. Sa e rrezikshme është kjo për ekonominë në Shqipëri?

Nadeem Ilahi: Jam dakord me pjesën e parë të asaj që thatë, por jo me pjesën e dytë. Sepse ne po shohim shenja të rritjes së besimit. Për ne, kjo nënkupton se ka rritje të kërkesës për kredi. Nëse ky kredit ekziston ose jo, kjo është një çështje tjetër. Por mendojmë se tani do të ketë trysni nga sektori privat për të kërkuar më shumë kredi. Problemi është se niveli i kredive të këqia është mjaft i lartë. Edhe pse kjo nuk përbën problem për qendrueshmërinë e sistemit bankar në Shqipëri, ajo ende pasqyrohet tek bilanci i kompanive dhe prandaj bankat ngurrojnë të japin kredi të tjera për këto kompani. Kjo ndikon mbi ekonominë. Megjithatë, në këtë aspekt, Shqipëria nuk është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor. Ky është një problem mjaft i përhapur edhe në pjesë të tjera të rajonit. Përsa i përket Evropës Lindore, vendet balltike i kanë reformuar mirë rregullat e likuidimit bankar dhe kanë parë një rigjallërim të madh ekonomik. Pra, ka përfitime të qarta nëse kjo arrihet. Ne po vazhdojmë të punojmë me qeverinë për të parë se ku mund të përmirësohen gjërat.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë disa nga sfidat për Bankën e Shqipërisë, pas skandalit që preku imazhin e këtij institucioni të rëndësishëm për ekonominë dhe tani që ata janë pranë konfirmimit të një guvernatori të ri?

Nadeem Ilahi: Do të ketë një fillim të ri me një guvernator të ri. Natyrisht ne punojmë nga afër me Bankën e Shqipërisë. Nga pikëpamja profesionale dhe teknike na ka bërë përshtypje cilësia e personelit të Bankës, për nga mënyra se si i bëjnë politikat, se si e shohin stabilitetin e sistemit financiar. Ne bëjmë takime të hollësishme me ta, por i ruajmë kontaktet edhe kur jemi në Uashington. Kjo edhe sepse për sistemin financiar ekzistojnë rreziqe të jashtme. Në vështrimin tonë, Banka e Shqipërisë mbetet një institucion shumë profesional dhe kompetent dhe ne nuk shohim arsye se përse kjo të mos vazhdojë. Në fund të fundit kjo është një bankë qendrore që e realizon kontrollin e inflacionit me shumë sukses, gjë që nuk është e lehtë. Sepse në Europë ka vende më të zhvilluara që e kanë të vështirë kontrollin e inflacionit. Në historinë e Shqipërisë ka disa suksese dhe Banka e Shqipërisë është një prej tyre. Banka e Shqipërisë është treguar mjaft e disiplinuar në pranimin e këshillave tona. Në këtë aspekt kemi patur shumë pak shqetësime.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar për një kohë të gjatë me Shqipërinë. Perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë dhe shumë njerëz janë të shqetësuar. Si e shihni ju këtë problem në Shqipëri?

Nadeem Ilahi: Korrupsioni në një vend si Shqipëria nuk është i pazakontë. Në punën tonë, ne e shohim korrupsionin si fenomen që vjen nga qeverisja jo e mirë, nga mungesa e transparencës dhe e profesionalizmit. Në aspektet ku ne po punojmë me qeverinë, përpiqemi të kemi përmirësime në këto drejtime. Natyrisht, përmirësimet nuk mund të vijnë brenda një viti, por mund të shohësh se ka përpjekje për të bërë atë që duhet. Për shembull, përsa i përket problemit të borxheve të prapambetura, së bashku me qeverinë ne kemi ngritur një sistem që kjo të bëhet në mënyrë transparente dhe në bazë të rregullave. Kështu procesi po zhvillohet me shqetësime minimale dhe jemi në gjysmën e tij. Ai është transparent dhe nën mbikqyrjen publike. Për mua, ky lloj të vepruari është zgjidhja më e rëndësishme për problemin e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG