Lidhje

Reagime pas miratimit të marrëveshjes për Greqinë


Belgium EU Greece Bailout
Belgium EU Greece Bailout

Ministrat e qeverisë greke shprehën vlerësimin që Eurozona miratoi skemën e reformave të qeverisë por disa politikanë të opozitës thonë se ky është një hap prapa dhe jo përparim për Greqinë. Udhëheqësit evropianë nga ana e tyre e bënë të qartë se miratimi është vetëm një fillim. Ndërkohë sot filloi procesi gjyqësor ndaj ish- ministrit grek të financave lidhur me mënyrën sesi e kishte trajtuar çështjen e evazionit fiskal.

Qeveria greke nuk vonoi ta shprehte entuziazmin për vendimin e partnerëve të Eurozonës. Ministri i Kulturës, Vangelis Apostolou tha se vendimi ishte i mirëpritur dhe se shpresonte që qeveria tani të fillonte punën.

“Populli grek pret nga ne që të fillojmë një përpjekje që përfundimisht t’i nxjerrë ata nga kjo udhë pa krye”.

Por politikanët e opozitës thanë se qeveria e re nuk bëri asgjë më shumë sesa të vazhdonte marrëveshjen e vjetër të shpëtimit të qeverisë së mëparshme dhe që ishte në prag të realizimit të kushteve edhe më të mira për të.

“Gjendja është edhe më e keqe. Plani i qeverisë së sotme është i një niveli edhe më të ulët dhe na çon prapa”, tha Amdreas Lorvedos, anëtari i parlamentit nga partia PASOK.

Greqia siguroi dje një zgjatje prej katër muajsh të afatit të pagesës së borxhit të paketës së shpëtimit kur partnerët e saj të Eurozonës miratuan një plan reformash ku premtohej se shpenzimet për të lehtësuar stresin social nuk do ta vinin në rrezik buxhetin e saj.

Pas miratimit, kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tërhoqi vëmendjen se ky ishte vetëm fillimi.

“Kjo listë është vetëm një tregues i reformave që ata duan të ndërmarrin, atyre që duan të zëvendësojnë dhe atyre që duan të vazhdojnë. Dhe do të duhet kohë që të diskutohen detajet dhe për të hartuar një kontratë e re apo marrëveshje që të mbulojë katër muajt e ardhshëm”.

Dhe Ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble i tha një radioje gjermane sot se nuk kishte qenë e lehtë të merrej vendimi për shtyrjen e afatit dhe ende mbeteshin shumë dyshime për besueshmërinë e angazhimeve të fundit të Athinës për reformat.

Por tani për tani, tregjet greke kanë reaguar pozitivisht. Bursa shënoi sot një rritje prej 7 për qind. Reagim pozitiv pati edhe nga tregjet evropiane.

Ndërkohë sot në Athinë filloi procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të financave George Papacostantinou. Ai akuzohet për abuzime lidhur me një skandal evazioni fiskal.

Zoti Papacostantinou, që shërbeu në qeverinë e kryeministrit socialistit George Papandreou në vitet 2009-2011, akuzohet për manipulimin e një liste me 2 mijë emra që Franca i kishte dhënë Athinës, ku përfshiheshin grekët që kishin transferuar para jashtë vendit.

Prokurorët kishin zbuluar se Papacostantinou kishte hequr emrat e tre të afërmve të tij nga lista. Ekzistenca e kësaj liste i indinjoi grekët pasi qeveri të njëpasnjëshme kishin dështuar të merrnin masa ndaj atyre që ishin pjesë e listës, ndërkohë që shumica vuante pasojat e masave shtrënguese ekonomike.

XS
SM
MD
LG