Lidhje

Kerry: OKB të hetojë shkeljet në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po u bën thirrje Kombeve të Bashkuara për të hetuar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonat e Ukrainës lindore të kontrolluara nga separatistët, ku gjatë një viti dhune janë vrarë mijëra njerëz.

Zoti Kerry tha se burra, gra dhe fëmijë në Ukrainën lindore "janë duke u vrarë, torturuar dhe përdhunuar."

Diplomati i lartë amerikan i bëri komentet sot në Gjenevë ku ai foli në Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në të njëjtin forum se në lidhje me armëpushimit në Ukrainë është arritur "përparim i prekshëm". Ai i kërkoi Kievit të distancohet nga ata që ai i quajti "ekstremistë".

SHBA dhe aleatët evropianë janë duke shqyrtuar sanksione shtesë kundër Moskës për veprimet e saj në Ukrainë, ku Presidenti Petro Poroshenko ka thënë se separatistët të mbështetur nga Rusia vazhdojnë të shkelin marrëveshjen e armëpushimit.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha sot se më shumë se 6,000 njerëz janë vrarë në Ukrainë lindore që nga prilli i vitit 2014, megjithë armëpushimet e njëpasnjëshëm.

Para fjalimit të tyre në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, zoti Kerry dhe homologu Lavrov u takuan për më shumë se një orë për të diskutuar konfliktin në Ukrainë dhe çështje të tjera mes dy vendeve.

Asnjëri prej diplomatëve nuk buzëqeshi ndërsa ata shtrenguan duart dhe pozuan për fotografi para bisedimeve. Asnjë hollësi mbi bisedimet e tyre nuk është bërë publike.

XS
SM
MD
LG