Lidhje

SHBA, kryeministri izraelit kritikon negociatat me Iranin


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se negociatat që po zhvillohen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të "garantojnë" se Teherani do të ketë armë bërthamore, një kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për botën.

Në një fjalim para Kongresit amerikan që është bërë shkak për polemika, zoti Netanyahu u theksoi ligjvënësve rrezikun e madh që një Iran bërthamor përbën për vendin e tij.

"Nëse marrëveshja që është duke u negociuar pranohet nga Irani, ajo nuk do ta pengojë Iranin të prodhojë armë bërthamore, përkundrazi, do të garantojë se Irani do t'i ketë këto armë bërthamore, madje shumë të tilla," tha Kryeministri izraelit.

Irani po mbështet terrorizmin në botë, tha zoti Netanyahu, duke shtuar se regjimi i Teheranit është "më radikal se kurrë," atij nuk mund t'i besohet dhe një marrëveshje në proces e sipër me Shtetet e Bashkuara nuk do të bllokojë rrugën e Iranit për prodhimin e një bombe, përkundrazi i hap atij rrugën drejt një bombe.

"Ne e kemi thënë se nëse nuk arrihet marrëveshje, kjo është më mirë se një marrëveshje e keqe. E pra, kjo është një marrëveshje e keqe, shumë e keqe," tha zoti Netanyahu.

Presidenti Barack Obama, i cili tha se nuk e kishte ndjekur fjalimin por kishte lexuar tekstin e tij, theksoi se në fjalën e zotit Netanyahu nuk kishte "asgjë të re". Ai këmbënguli se udhëheqësi izraelit nuk ofroi ndonjë alternativë më të mirë për negociata.

Zoti Obama tha se alternativa e kryeministrit Netanyahu është t'i thotë jo çdo negociate dhe kjo, shtoi ai, do të bënte që Irani të dyfishojë përpjekjet për të prodhuar armën bërthamore.

XS
SM
MD
LG