Lidhje

Kosovë: Qeveria fillon veprimet për ngritjen e Gjykatës së Posaçme


Gjykata e posaçme do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të UÇK-së në krime lufte

Qeveria e Kosovës, miratoi të shtunën propozimet për amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Amendamentet do të dërgohen në kryesinë e Parlamentit i cili duhet të kërkojë opinion nga Gjykata Kushtetuese para se t’i hedh për votim nga deputetët.

Gjykata e posaçme
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Qeveria miratoi edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar të mundshëm në proceset gjyqësore të kësaj gjykate.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se vendimi nuk është aspak i lehtë, por që i shërben edhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare që ishte e pastër.

Ka qenë një luftë, në të cilën është mbrojtur pragu i shtëpisë, janë mbrojtur familjet. Dyshimet mbi individët assesi nuk guxojnë të trajtohen në këtë proces si dyshime mbi UÇK-në dhe si gjykatë e cila është e orientuar kah UÇK-ja dhe nga njerëzit që kanë dhënë çdo gjë, i kanë dhënë familjet e tyre, më të dashurit e tyre, kanë sakrifikuar dhe kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se saj.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i cili paraqiti vendimet e qeverisë tha se gjykata do të mundësojë zbardhjen e pretendimeve siç tha ai të padrejta që i janë bërë Kosovës dhe të hiqet barra e rëndë mbi supet e saj. Ai tha se ky zhvillim natyrshëm ka ngjallur debate, por, sipas tij, vendimi i qeverisë është edhe vendim i besimit të plotë në partneritetin me miqtë e Kosovës.

Është një vendim që e parandalon në veçanti tendencën e oponentëve të pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj Kosova të ballafaqohet jo 3 deri në 5 vjet, por për 25 vjet”, tha ai.

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga, mbështeti vendimin e qeverise duke e cilësuar atë hap të parë drejt realizimit të detyrimit të Kosovës. Në një komunikatë të zyrës së saj, thuhet se krijimi i gjykatës, pasqyron angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur e të paanshëm, për t’u marrë me akuzat e raportit të Këshillit të Evropës në mënyrë të besueshme. Kjo gjykatë, do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit për çlirim dhe liri, thuhet në komunikatën e presidentes Jahjaga.

Vendimi u mirëprit edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara e cila tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së zotimeve që Kosova i ka bërë në prill të vitit 2014. Kjo po ashtu tregon gatishmërinë e Kosovës për të trajtuar akuzat kundër individëve dhe se përkrahja për gjykatën do tregojë përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj sundimit të ligjit, thuhet në një njoftim të kësaj ambasade.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, duke e përgëzuar qeverinë për vendimin, tha se “Gjykata e Posaçme nuk ka të bëjë me ndjekjen penale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por me përcaktimin e përgjegjësisë penale të individëve. Vendimi i sotëm rikonfirmon përkushtimin e autoriteteve të Kosovës për të larguar një re të zezë që po qëndron mbi Kosovë që nga publikimi i raportit të Këshillit të Evropës i vitit 2011”.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në dhjetor të vitit të kaluar amerikani David Schwendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pasuar në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG