Lidhje

Pasojat e luftimeve në Ukrainë


Nikishino, Ukraine

Nikishino, Ukraine

Media ukrainase e quan këtë vend, porta e ferrit. Nikishino, dikur një fshat pesë kilometra në jug të qytetit Debaltseve, tani një peisazh shkretëtire i mbuluar nga rrënojat e luftës.

Thuajse të gjitha shtepitë janë shkatërruar. Vetem qentë kanë mbetur. Për javë të tëra, forcat qeveritare u pozicionuan këtu ndërsa separatistët ngushtuan rrethimin e qytetit Debaltseve, një qendër e rendësishme hekurudhore që u jep kontrollin e autostradës kryesore nga Donetsk-u në Luhansk drejt kufirit rus. Në ditët e fundit të dy palët u përballën nga të dy anët e fshatit duke luftuar nga çdo shtepi, dritare apo dhomë në atë vend.

Ky fshat ka patur mbi 1 mijë banorë. Irina ecën e vetme mes rrënojave. Kjo është gjithçka që i ka mbetur.

“Ishim tre vetë që jetonim këtu, unë, bashkëshorti dhe vjehrra. Ja çfarë ka mbetur nga shtëpia. Kjo është kuzhina verore, atje ishte ahuri ku mbanim lopën. Aty ka qënë një garazh. Ata morën gjithçka.”

Elena dhe Viktori janë kthyer të ushqejnë qentë. Ata sapo kishin dalë në pension pas vitesh të gjata pune në miniera dhe hekurudhë. Jetuan për disa javë në qilar derisa u shpëtuan bombardimeve. Elena thotë se shtepia e tyre ishte më e mira e lagjes. Tani as rrënojat e saj nuk dihen ku janë shpërndarë.

“Është luftë, po të mos ishte luftë kjo nuk do të ndodhte. Kur u shkatërrua shtëpia nuk ishim këtu. Ishim me fat që u larguam. Nuk dihet se kush e bëri këtë.”

Monumenti i Luftës së Dytë Botërore aty pranë është i vetmi dëshmitar i mbetur por i goditur nga predhat.

Në fushat përreth, miliona luledielli të pakorrura nga vera janë tharë ndërsa livadhet janë mbjellë me raketa dhe mina. Më 30 janar, forcat qeveritare u tërhoqën dhe separatistët njoftuan se kishin marrë Nikishinon, pavarësisht se aty nuk kishte mbetur më asgjë.

XS
SM
MD
LG