Lidhje

Beteja për të drejtën e votës


50 vjet më parë qindra afrikano-amerikanë marshuan në Selma të Alabamës për të drejtën e votës.

Kur përshkuan urën Edmund Pettus, demonstruesit u sulmuan nga policia. Pamjet e dhunës revoltuan amerikanët dhe përqëndruan vëmendjen e kombit tek mohimi i së drejtës së votës për miliona afrikano-amerikanë.

50 vjet pas demonstratës, aktivisti për të drejta civile Nims Gay është kthyer në gjykatën e Birmingamit ku ai dhe afrikano-amerikanë të tjerë u morën në pyetje nga policë të bardhë, të cilët u mohonin të drejtën kushtetuese të votës.

“Mos mendoni se jeni superiorë ndaj meje. Të gjithë jemi një komb. Këto fjalë i irritonin policët. Por unë s’doja t’ia dija. Ose je me të drejtën ose je në anën e gabuar”.

Pas ngritjes së çështjes në gjykatë, afrikano-amerikanët u lejuan të votojnë. Ai thotë se beteja ishte e vështirë, por e merituar.

“Njerëzit pa votë janë njerëz pa shpresë. Është një fakt që qëndron edhe sot. Nuk dua t’ia di nëse je i bardhë, i zi, i gjelbër apo gri, nëse nuk mund të votosh, keq e ke punën”.

Jeanne Smiley, mësuese në pension, ishte ndër të parët afrikano-amerikanë që u lejuan të votojnë në Montgomery të Alabamës.

“Shumë njerëz përreth Montgomerit dhe zonave përreth kishin frikë dhe nuk donin të shkonin për të votuar. Por ne që arritëm të votojmë, u përpoqëm t’u japim zemër të tjerëve që edhe ata të votonin”.

Hank Sanders, Deputet në Senatin e Alabamës

“Nëse ishe i punësuar, sikur thjesht të regjistroheshe për të votuar të pushonin nga puna. Po ashtu pushonin nga puna edhe të afërmit e tu”.

Disa ditë pas së Dielës së Përgjakshme Hank Sanders iu bashkua udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King dhe mijëra të tjerëve në një marshim në kryeqytetin e shtetit Alabama, Montgomery.

“Fuqia e votës dukej aq e rëndësishme për ata që e kishin, sa që nuk donin që ta kishin edhe të tjerë dhe po bënin sa të mundnin për të mos lejuar afrikano-amerikanët të votonin”.

Fred Gray, jurist për të drejtat civile

“Arritjet që shënuam nuk ndodhën vetvetiu,thotë Fred Gray, jurist për të drejtat civile i cili përfaqësoi Martin Luther Kingun në gjyq; pasi fituan çështjen, organizatorët arritën të zhvillojnë marshimin nga Selma në Montgomery.

Lyndon Johnson, ish-President i ShBA

“Të gjithë ne duhet të kapërcejmë trashëgiminë dërrmuese të paragjykimeve dhe padrejtësisë”.

Zot Gray thotë se disa muaj më pas Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të drejtën e votës.

“E drejta e votës ishte çelësi që hapi portat për shumë gjëra të tjera. Nëse u jep njerëzve të drejtën e votës, mund të zgjedhësh individë që pastaj emërojnë qindra njerëz të tjerë në poste”.

Nims Gay këndon sot himnin e të drejtave civile që frymëzoi atë vetë dhe mijëra të tjerë në betejën e përbashkët.

XS
SM
MD
LG