Lidhje

Protesta pro parkut të liqenit


Në Tiranë, veprimtarë të mjedisit dhe shoqërisë civile protestuan sot para bashkisë kundër ndërtimeve poshtë digës së liqenit artificial. Ata pohuan se ndërtimi i pallateve në atë zonë shkel një seri ligjesh dhe rrezikon banorët. Ato kulla shumë-katëshe po ndërtohen në të vetmen zonë të gjelbër që i ka mbetur kryeqytetit.

Disa dhjetëra të rinj dhe banorë të tjerë, veprimtarë pro mjedisit protestuan sot para bashkisë së Tiranës kundër ndërtimit të një grup pallatesh shumëkatëshe poshtë digës së liqenit artificial.

Përfaqësues të nismës “Mbill Pemën Tënde” i kërkuan bashkisë dhe qeverisë të ndalojnë sa më parë punimet e rrezikshme poshtë digës së liqenit, që janë në kundërshtim me disa ligje të shtetit shqiptar, që lidhen me gjeologjinë, mjedisin dhe arkitekturën.

Firmat ndërtuese po veprojnë me shpejtësi për të bërë fakt të kryer shkatërrimin e natyrës në favor të pallateve, dhe duke dëmtuar në mënyrë të paprapsueshme një zonë të mbrojtur në natyrën e kryeqytetit.

Disa ditë më parë veprimtarë të shoqërisë civile protestuan edhe para selisë së qeverisë për shkatërrimin e parkut poshtë digës së liqenit artificial.

Ndërsa sot ata i kujtuan bashkisë se kishte premtuar mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e parkut dhe ndalimin e kullave shumëkatëshe. Ata i bënë thirrje pushtetit qendror dhe vendor që të ndalojë ndërtimin e atyre kullave, për të cilat po nis një proces gjyqësor, sepse janë haptas në shkelje të ligjeve.

Firmat vazhdojnë të ndërtojnë pallate në çdo pëllëmbë tokë të lirë, por kjo e ka bërë kryeqytetin mjaft të ndotur. Ndotja e ajrit dhe ujërave të Tiranës është disa herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Ndotja dhe pakësimi i zonave të gjelbra, pohojnë studiuesit, po ulin me shpejtësi cilësinë e jetës në kryeqytetin shqiptar. Veprimtarët e shoqërisë civile pro mjedisit thanë se kullat e reja poshtë digës së liqenit shkelin ligjet për digat dhe për mjedisin, si dhe i zhdukin Tiranës të vetmen hapësirë jetike për afro 1 milionë banorë.

Protestuesit pohuan se Inspektoriati duhet t'i kish ndaluar ato ndërtime para se të nisin, sepse më vonë do të jetë e vështirë dhe dëmet në mjedis mund të bëhen të pakorrigjueshme.

Ata u bënë thirrje kryetarit të bashkisë, të parlamentit dhe të qeverisë dhe presidentit që të ndalojnë punimet para se gërmimet të rrëzojnë digën dhe ujërat e liqenit do të përmbytin pallatet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG