Lidhje

Pas deklaratave të Moskës se gjatë viteve të ardhshme tubacionet e gazit për furnizimin e Evropës nuk do të kalojnë nga Ukraina, por nga Turqia, Ankaraja thotë se është një hap më pranë qëllimit të saj për të qenë një qendër e madhe e gazit. Por kritikët theksojnë se Turqia ende ka shumë pengesa për të kapërcyer.

Thellimi i krizës në Ukrainë mund të hapë dyert për ëndërrat e Turqisë për t’u bërë një qendër energjitike rajonale.

Konsulenti politik Atilla Yesilada me kompaninë Global Source thotë se vendimi i Moskës për të përdorur Turqinë në vend të Ukrainës si vend transiti për furnizimet e tregjeve evropiane është një mundësi madhore për Ankaranë.

"Turqia do të zëvendësojë Ukrainën. Ka sigurisht pikëpyetje të mëdha nga ana etike dhe do të ketë tensione të mëdha nga ana diplomatike. Por nga pikëpamja ekonomike, plani është i përshtatshëm. Turqia thjesht bëhet Ukraina e ardhshme dhe Turqia mund të bëhet një qendër e madhe e energjisë duke furnizuar Evropën. "

Vendimi i Moskës për të anashkaluar Ukrainën në furnizimin me gaz të tregjeve evropiane vjen pas disa vitesh argumentash dhe tensionesh me Kievin, duke rezultuar në ndërprerje të furnizimit me gaz të Evropës.

Por Sinan Ulgen, në institutin Carnegie në Bruksel thotë se prespektiva e Turqisë për të zëvendësuar Ukrainën nuk u përshëndet me entuziazëm në Bruksel.

"Komisioneri i BE-së për energjinë tha se ka një numër pengesash ligjore. Rusia duhet të ndryshojë kushtet e furnizimit ndaj konsumatorëve të saj më të mëdhenj evropianë. Në kontratat e tanishme të furnizimit, është përcaktuar se gazi do të furnizohet përmes Ukrainës. Këto janë kontrata afatgjata dhe mbetet për t’u parë nëse kushtet e tyre mund të negociohen. "

Por kreu i Gazpromit, Alexei Miller i hodhi poshtë këto shqetësime në janar, duke paralajmëruar se objektet teknike të Brukselit duhet të jenë të gatshme për dy vjet për të marrë furnizime përmes gazsjellësit turk që do të lidhet me Greqinë. Muajin e kaluar, zoti Miller dhe ministri turk i Energjisë Taner Yildiz bënë një turne me helikopter për katër orë për të parë rrugët e mundshme për gazsjellësin.

Urgjenca e Moskës duket se e ka vënë Ankaranë në një pozitë të fuqishme. Gazpromi ka ulur dy herë çmimin e gazit që po i shet Turqisë.

Por Volkan Ozdemir, analist me Institutin për Tregjet dhe Politikat e Energjisë me seli në Ankara, thotë se Turqia duhet të ushtrojë presion për ta kthyer veten nga një vend tranzit, në një qendër energjitike.

"Mendoj se Turqia ka epërsi ndaj Rusisë, për shkak të sanksioneve dhe problemeve ekonomike të Rusisë. Turqia është mundësia e saj e vetme. Kështu që Turqia duhet ta shtyjë Rusinë për t’u bërë partnere e kësaj qendre të gazit natyror. "

Me një tjetër gazsjellës madhor që do të ndërtohet nga Azerbaxhani për në tregjet evropiane përmes Turqisë, ky vend do të bëhet një nga furnizuesit më të mëdhenj të energjisë në Evropë. Analistët thonë se kjo mund t’i japë Ankarasë influencë në Bruksel.

Vëzhguesit thonë se Turqia është përpjekur t’i kundprvihet skepticizmit që ekziston ndaj saj për t’u bërë qendër e energjisë, por kriza në Ukrainë duket se është mundësia që ka pritur Turqia për të patur epërsi negociuese drejt synimit të ambicieve e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG