Lidhje

Arkitektura në fokusin e fotografit Ilir Rizaj

  • Ardita Dunellari

Fotografi nga Kosova Ilir Rizaj e gjen frymëzimin tek arkitektura. Fotografitë e tij, disa prej të cilave janë botuar edhe në revista në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, sjellin tek shikuesi bukurinë veprës arkitektonike. Artisti ka tani në plan që me veprën e tij të prezantojë edhe reliket e trashëgimisë etnografike shqiptare.

Fokusi i aparatit të fotografit Ilir Rizaj ka kapur prej dekadash një përzgjedhje eklektike ku gjenden e vjetra dhe modernia, dekorativja dhe funksionalja, madhështia dhe intimiteti. Arkitektura është frymëzimi kryesor për artistin nga Kosova:

“Arkitektura është një lami shumë interesante, përsa i përket fotografisë. Duhet të specializohesh në hapësirë, në perspektivë, në përmasa. Duhet të njihesh shumë mirë me këtë lami, përsa i përket aspektit arkitektonik. Për ta fotografuar ndriçimi është shumë, shumë me rëndësi: si të ndriçohet një hapësirë pa e ndërru dizenjon e ndriçimit origjinal që e ka paramendu arkitekti”.

Është një pasion që lindi që në fëmijëri dhe që tani është kthyer në një mjeshtëri profesionale:

“Si i ri ia nisa të përdori fotoaparatin e familjes dhe e pashë se ishte një proces shumë interesant kreativ. Shkova menjëherë, mora një kurs të fotografisë në Prishtinë. Ishe 15-vjeçar, mjaft i ri. Rregullova dhomën e errët në bodrum të shtëpisë, dhe kështu vazhdova një proces, i cili kurrë nuk shkoi nga unë”.

Me banim prej mbi 20 vjetësh në Nju Jork, ai gjen tani frymëzim të përditshëm në një prej qyteteve më dinamike të botës.

“Nju Jorku është mjaft eklektiv. Ke arkitekturë shumë moderne, ke edhe mjaft të vjetër. Arkitektët më të njohur botërorë kanë vepruar atje, duke nisë nga Frank Lloyd Wright, Philip Johnson dhe tani në kohët moderne është Frang Gehry, një ndër më të njohurit. Kam hasur rastin të fotografoj një objekt të dizenjuar nga Frank Gehry”.

Puna e tij, shpjegon artisti, është të gjejë dhe të sjellë tek shikuesi perceptimin e së bukurës:

“Dedikimi dhe pasioni i fotografit që të zbulojë diçka më shumë se sheh në jetën e përditshme. Nëse e arrijmë atë me fotografinë tonë, atëherë e kemi bërë punën tonë”. “Shumë do të bëjë me nënvetëdijen tonë. Gjërat që janë të bukura janë të dizenjuara me ligje të natyrës: relacioni i artë, apo rregulla e artë që vjen nga natyra; çdo gjë në natyrë është e krijuar në bazë të një rregulle matematikore që kur e shikojmë një objekt, lidhemi me të në mënyrë të pavetëdijshme, por e shohim se është një objekt që ka një bukuri magjëpëse”. “Fotografia është dy dimensionale dhe mundohet ta portretizojë edhe dimensionin e tretë që është thellësia. Vetëm me relacionin mes dritës dhe hijes mund të mashtrohet syri”.

Tani artisti është në kërkim të perlave të arkitekturës në Shqipëri dhe Kosovë:

“Kam pasur fatin që të bie në kontakt me një organizatë që bën restaurimin e objekteve të vjetra. Quhet Aventurat në Prezervim. Ata janë duke finalizuar një projekt në Gjirokastër, quhet Kulla e Skendulit. Do të shkoj në fund të majit që të bëj një reportazh fotografik dhe video gjithashtu. Pas asaj do të shkojmë në Kosovë, me drejtoreshën e organizatës, do të bëjmë ca hulumtime me pa nëse mund të gjejmë ndonjë objekt që ia vlen për t’u restauruar. Dihet se në Kosovë janë shkatërru shumë prej agresionit serb në luftën e fundit të ‘’99, por shpresojmë se do të kemi mundësi t’i restaurojmë, së paku disa prej tyre”.

Përmes aparatit të fotografit, shikuesit do të kenë së shpejti mundësinë të prezantohen me reliket e e etnografisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG