Lidhje

Mustafa vizitë zyrtare në Tiranë

  • Armand Mero

Dy kryeministrat takohen dy javë përpara mbledhjes së dytë mes dy qeverieve e cila do të mbahet në kryeqytetin shqiptar. Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik.

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij kosovar Isa Mustafa theksuan sot nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, vecanërisht në fushën ekonomike për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe sipërmarrjen në të dy anët e kufirit. Kryeministri i Kosovës Mustafa ndodhet sot për vizitë zyrtare në Tiranë, e para që nga marrja e detyrës në krye të qeverisë në Prishtinë.

“Ambicja jonë është që kufiri të mos jetë më një pikë doganorë ndërkombëtare por një pikë kalimi ku të gjitha autorizimet dhe licencat që kërkohen të jenë të njehsuara”, shpjegoi zoti Rama. Duke ju referuar vendosjes së një pikë të përbashkët për tranzitin në pikën e Morinit, pak javë më parë, kryeministri Rama nënvizoi se “kemi një sërë hapash të tjerë për të hedhur, në mënyrë që i gjithë territori fizik të jetë një i vetëm për të investuar, dhe të jetë një hapësirë e vetme për sipërmarrjet”.

Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë pas dy javësh mbledhjen e dytë të përbashkët mes qeverive të të dy vendeve. “Në mbledhjen e përbashkët do të bëjmë një sërë hapash për të hequr një sërë procedurash dhe regullimesh që pengojnë apo rëndojnë gjithë procesin e ndërveprimit për biznesit dhe procesit të bashkveprimit ekonomik mes dy shteteve”, theksoi kryeministri Rama.

Mbledhja e parë u zhvillua në janar të viti të shkuar. Kryeministri Mustafa theksoi se “janë arritur rezultate shumë të mira në arsim e kulturë, e do përpiqemi që ato të shprehen dhe në marrëdhëniet tregtare. Ne kemi nevojë për projekte të zhvillimit ekonomik. Ne mendojmë se kemi hapësirë të madhe bashkëpunimi duke nisur nga energjia, turizmi dhe infrastruktura, përmes të cilave do të ndërlidhemi dhe me vendet e tjera në rajon”, theksoi zoti Mustafa.

Partneriteti strategjik i firmosur mes Tiranës dhe Prishtinës, është sipas kryeministrit Edi Rama “një instrument themeltar që përcakton dhe do të përcaktojë peshën e faktorit shqiptar në rajon”.

XS
SM
MD
LG