Lidhje

Irani reagon ndaj letrës së senatorëve


Ministri i jashtëm i Iranit tha sot se një letër e një grupi senatorësh republikanë amerikanë se një marrëveshje e mundshme bërthamore me Teheranin mund të revokohet kur presidenti Barack Obama të largohet nga detyra sugjeron se Shtetet e Bashkuara nuk janë të besueshme. Presidenti Obama e kritikoi grupin prej 47 senatorësh republikanë që paralajmëruan të hënën Iranin se çdo marrëveshje bërthamore që negocion me zotin Obama mund të zgjasë vetëm derisa ai të jetë në detyrë në fillim të vitit 2017.

Në një letër drejtuar Teheranit, senatorët republikanë thanë se nëse ndonjë marrëveshje që negociohet tani me Shtetet e Bashkuara dhe pesë fuqitë bërthamore nuk miratohet nga Kongresi, ajo do të konsiderohet si “asgjë më shumë se një marrëveshje ekzekutive” mes zotit Obama dhe udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Presidenti nuk i kushtoi vëmendje letrës ndërsa foli me gazetarët dje në Shtëpinë e Bardhë.

"Mendoj se është disi ironike kur sheh se disa anëtarë të Kongresit duan të njëjtën kauzë të përbashkët me elementë të vijës së ashpër në Iran. Është një koalicion i pazakontë. Mendoj se ajo ku duhet të përqëndrohemi tani është të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje. Dhe kur kjo të arrihet, në se arrihet, atëherë do të jemi në gjendje të bindim popullin amerikan dhe kam besim se do të jemi në gjendje ta zbatojmë atë.”

Edhe Ministri i jashtëm iranian Javad Zarif e kritikoi letrën e republikanëve duke thënë se “nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe është një komplot propagandistik."

Nënpresidenti Joe Biden, i cili ka qënë senator për 36 vjet, thotë se letra kërcënon të minojë aftësinë e presidentëve të ardhshëm të negociojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe është nën dinjitetin e një institucioni "

Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore dhe po negocion me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Britaninë, Francën, Kinën dhe Rusinë për aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, John Boehner, ftoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të folur në Kongres javën e kaluar rreth asaj që Tel Avivi e sheh "si një marrëveshje të keqe" që po del nga bisedimet bërthamore. Boehner e bëri ftesën pa njoftuar Shtëpinë e Bardhë, duke anashkaluar një protokoll normal diplomatik në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG