Lidhje

SHBA, sanksione të reja ndaj Venezuelës


Sanksionet e reja amerikane mbi Venezuelën u pritën keq nga Kuba sot në përplasjen e parë publike me Shtetet e Bashkuara që kur të dy vendet njoftuan në dhjetor se do të fillojnë bisedimet për të rivendosur lidhje diplomatike.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga gazeta shtetërore Granma , Kuba e etiketon urdhërin ekzekutiv të presidentit Obama si arbitrar dhe agresiv.

Urdhëri, i njoftuar dje, vë në shënjestër shtatë zyrtarë të lartë të Venezuelës që Shtetet e Bashkuara thonë se kanë shkelur të drejtat e njeriut dhe janë përfshirë në akte korrupsioni.

Në deklaratën e saj sot, qeveria kubane thotë se rithekson mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Venezuelës. Të dy vendet kanë qënë aleatë për një kohë të gjatë.

Deklarata kritikon kategorizimin që presidenti Obama I bën Venezuelës si një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit, duke thënë se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti sovran apo të deklarojë pa baza se një vend përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduroe kritikoi gjithashtu urdhërin duke e quajtur të padrejtë dhe të dëmshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG