Lidhje

Irak, ofensiva për marrjen e Tikritit


Ndërkohë që në Irak vazhdon beteja për Tikritin ndërmjet militantëve të Shtetit Islamik nga njëra anë dhe forcave irakene të sigurisë e milicive shiite nga ana tjetër, dy shqetësime kryesore kanë filluar të shfaqen: roli i Iranit dhe frika se ndarjet sektare mund të rriten.

Pas disa ditësh luftimi rreth qytetit Tikrit, pak progres është bërë kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët e kanë pushtuar qytetin që në qershor të vitit të kaluar.

“Trupat tona po përparojnë tani sipas një plani të miratuar, megjithëse ka bomba të shumta të vendosura nga militantët e Shtetit Islamik për të ngadalësuar progresin tonë.”

Armiku vazhdon të jetë i njëjti, por ka ndryshuar lloji i luftës kundër tyre. Nuk ka më mbështetje ajrore amerikane, dhe në terren ndodhen iranianët që po ndihmojnë milicinë shiite.

Ministri i Jashtëm saudit al-Faisal u shpreh se situata në Tikrit është shembulli tipik i asaj ç’kanë patur frikë vendet e gjirit: Irani po merr nën kontroll forcat irakene të sigurisë.

Frika tjetër ka të bëjë me dhunën sektare. Udhëheqësit sunitë thonë se qeveria irakene nuk po i mbështet.

“Qeveria qëndron me duart lidhur përballë fiseve sunite, ndërkohë që mbështet milicitë shiite që erdhën nga të gjitha anët për të dëbuar Shtetin Islamik nga zonat që kontrollon. Fiset sunite nuk kanë armatim”, thotë Myftiu i Madh i Irakut.

“E kemi provuar më parë sektarizmin në Irak, dhe është e rëndësishme që qeveria irakene mos të shkojë sërish në atë drejtim”, thotë Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Në Uashington, udhëheqësit ushtarakë po bëhen gjithnjë dhe më të kujdesshëm.

“Po e ndjekim me vëmendje, dhe nëse kjo shndërrohet në justifikim për spastrim etnik, atëherë fushata jonë do të përballet me një problem.”

Ata që udhëheqin luftimet kanë përcjellë mesazhe të përziera. Kryeministri iraken al-Abadi, që ka mbështetjen amerikane, ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve, por gjithashtu është shprehur se “nuk ka neutralitet në betejën kundër ISIS”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, si Joe Stork, thonë se një deklaratë e tillë mund të përdoret për të justifikuar dhunën.

“I kemi parë edhe rishtazi këto lloj milicish që kryejnë akte të tmerrshme në përfundim të operacioneve.”

Këto akte të tmerrshme përfshijnë hedhjen në erë të banesave dhe ekzekutime. Një video e filmuar me celular u shfaq në mediat sociale këtë javë, por Zëri i Amerikës nuk ka mundur deri më tani të vërtetojë autenticitetin e saj, apo datën e xhirimit. Në film duket një djalë sunit i kapur nga burra të veshur me uniforma me simbole irakene.

Disa sekonda më vonë, ata e vrasin djalin.

“Duhet të ketë pasoja kur njerëzit kryejnë krime të tilla. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë pasojë.”

Ndërkohë që vazhdon beteja për Irakun verior, zyrtarët bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjshmëri nga irakenët dhe iranianët që po ndihmojnë në këtë betejë. Por, të gjithë janë të vetëdijshëm se fuçia e barutit sektar mund të shpërthejë në çdo çast.

XS
SM
MD
LG