Lidhje

Emigrantët e paligjshëm dhe patentat


Emigrantët pa dokumente në Kaliforni tani mund të ngasin makinën në bazë të një ligji të ri të këtij shteti. Më shumë se një milion njerëz pritet të aplikojnë për patentë. Dhjetëra mijëra emigrantë tashmë kanë aplikuar. Edhe pse Kalifornia nuk është shteti i parë me një ligj të tillë, ajo ka numrin më të madh të emigrantëve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara.​

Emigrantët presin për disa orë në radhë të gjata për të hyrë në këtë zyrë ku jepen patentat, por shumica e këtyre njerëzve, përfshirë Christian Alvaradon, nuk e kanë bezdi.

"Jam shumë i gëzuar. Kam pritur një kohë të gjatë për të marrë patentën".

Alvarado dhe motra e tij me origjinë nga El Salvadori janë emigrantë pa dokumenta.
Ai erdhi në SHBA tetë vjet më parë dhe kjo është hera e parë që ai mund të aplikojë për patentë shoferi në Kaliforni. Pasi të dëshmojë identitetin e tij dhe qëndrimin në Kaliforni, të kalojë testin e shikueshmërisë, testin me shkrim dhe testin e ngarjes së makinës, ai mund të marrë patentën.

"Gjithmonë jemi të frikësuar nga policia. Ata mund ta marrin makinën dhe duhet të paguash për ta rimarrë atë".

Zoti Alvarado në të kaluarën është kapur duke ngarë makinën pa patentë dhe u detyrua të paguante 800 dollarë, një dënim i madh për këtë kopshtar.
Para ligjit të ri, ai dhe shumë emigrantë pa dokumente i përdornin makinat pa patentë.

Ndërsa ligji i ri lehtëson frikën e shumë emigrantëve pa dokumente, por krijon edhe shqetësime të reja. Ata shqetësohen nga dorëzimi i informacionit personal në një agjenci qeveritare dhe frika nga deportimi në të ardhmen. Por zëdhënësi i Departamentit të Transportit në Kaliforni, Armando Botello thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen.

"Departamenti i Transportit në Kaliforni nuk i ndan të dhënat me autoritetet. Kjo ndodh vetëm në raste të veçanta kur dikush është i dyshuar ose hetohet për një krim. Këto raste janë specifike dhe duhet të ketë një kërkesë nga autoritetet”.

Patenta e re duket si një patent e rregullt përveç një mbishkrimi ku thuhet "Mund t'i nënshtrohet kufizimeve federale", pra ajo nuk mund të përdoret për të udhëtuar me avion apo për të hyrë në një ndërtesë federale.

Ana Garcia e organizatës Central American Resource Center thotë se disa emigrantë kanë një tjetër shqetësim.

"Ata kanë frikë se do të trajtohen ndryshe, ata kanë frikë se mund të diskriminohen apo se policët mund ta kuptojnë që ata janë pa dokumente dhe mund të njoftojnë autoritetet".

Por jo të gjithë e mbështesin këtë ligj të ri, thotë profesor Dan Schnur.

"Argumenti kundër projekt-ligjit për patentat për shumë vite është parë si një shpërblim për veprimet e paligjshme".


Por profesor Schnur thotë se opinioni publik në Kaliforni ka ndryshuar në favor të emigrantëve pa dokumente.

"Shumica e votuesve të rinj të bardhë janë në favor të reformës gjithpërfshirëse të imigracionit përfshirë çështjen e dhënies së patentave sepse ata janë rritur në një shoqëri më të larmishme kulturore sesa prindërit apo gjyshërit e tyre".

Profesor Shnur thotë se me kalimin e kohës ndryshimet në qëndrimin ndaj ligjeve të imigracionit do të përhapen edhe në pjesën tjetër të vendit.

XS
SM
MD
LG