Lidhje

Ndotja e ajrit dhe shëndeti i fëmijëve


Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e fëmijëve dhe shkencëtarët që monitorojnë efektet e ajrit të ndotur në Los Angeles thonë se përmirësimi i cilësisë së ajrit ndikon për një shëndet më të mirë tek moshat e vogla. Rezultatet e kërkimit u botuan në Gazetën e Mjekësisë të New England. Autorët thonë se gjetjet japin shpresë për qytetet e ndotura në të gjithë botën.

Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë së Jugut thonë se cilësia e ajrit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme në Los Angeles, paralelisht me shëndetin e fëmijëve në pesë komunitete në të cilat është kryer studimi 20-vjeçar.

Ata thonë se niveli i pjesëzave në ajër ra me 50% në këto komunitete, dhe niveli i nitrogjen dioksidit ra me një të tretën.

Shkencëtari James Gauderman thotë se në Los Angeles, ajri më i pastër ka ndikuar tek mushkëritë më të pastra të fëmijëve.

“Kjo është një histori e jashtëzakonshme suksesi pasi pavarësisht nga një trafik i shtuar dhe aktivitetit ekonomik, cilësia e ajrit në zonën e Los Angeles është përmirësuar. Ky studim tregon se si rezultat, zhvillimi i kapacitetit të mushkërive të fëmijëve tanë është përmirësuar ndjeshëm.”

Kjo do të rezultojë në vazhdimësi në më pak probleme frymëmarrjeje dhe të zemrës. Madje, mushkëritë më të mira mund zgjasin moshën mesatare të jetëgjatësisë së fëmijëve.

Këto ndryshime u sollën nëpërmjet veprimit të përbashkët të autoriteteve lokale, shtetërore dhe federale, të cilat ulën nivelin e ndotjes nga makinat dhe shkaktarë të tjerë, thotë shkencëtari Frank Gilliland.

“Ka qenë një përpjekje e koordinuar për të ulur shkaqet e ndotjes gjatë një periudhe të gjatë. Ka qenë një gamë e gjerë veprimi, me makina të përmirësuara, me burime karburanti më të mira me nivel më të ulët sulfuri, me motorë më të mirë në kamionët e tonazhit të rëndë, dhe rregulla më të forta në portet hyrëse. Të gjitha këto së bashku ulën nivelin e ndotjes dhe përmirësuan cilësinë e ajrit.”

Përpjekjet për të ulur nivelin e ndotjes në porte kanë sjellë rezultate të mira, thotë aktivisti mjedisor Mark Lopez, por ai është i shqetësuar për të ardhmen.

“Cilësia e rritur e ajrit është e barazvlefshme me shëndet më të mirë. Pra, nëse do bëjmë hapa prapa në dëm të cilësisë së ajrit, e dimë se kjo do të dëmtojë shëndetin e fëmijëve tanë.”

Qytete në Kinë dhe Indi përballen me nivele shumë më të këqija të ndotjes së ajrit se Los Angeles, dhe shkencëtari Edward Avol thotë se studimi është një mesazh për këto vende.

“Pjesëzat në ajër dhe gazrat që ne studiuam si të rëndësishme për shëndetin në Kaliforninë Jugore, janë shumë të ngjashme me ndotësit në vende të tjera të botës. Kështu që, pastrimi i ajrit në pjesë të tjera të botës, do të sillte të njëjtat përfitime shëndetësore për fëmijët që jetojnë atje.”

Shkencëtarët thonë se vendosja nën kontroll e nivelit të ndotjes sjell përfitime të provuara për fëmijët.

Sfida është si të mbahet ndotja në nivel të ulët.

XS
SM
MD
LG