Lidhje

Ambasada e SHBA-së: S’ka listë me "të padëshiruar”


Ambasada amerikane

Ambasada amerikane

Shqipëri, reagimi pas njoftimeve në shtyp se 9 deputetë të shumicës ishin konsideruar “persona non grata” nga ambasada amerikane

Në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara sqaroi sot se ajo nuk ka hartuar asnjë listë me deputetët të parlamentit shqiptarë të cilët të jenë konsideruar prej saj si “persona të padëshiruar”. Deklarata e ambasadës erdhi si përgjigje ndaj publikimit të djeshëm në gazetën Rilindja Demokratike, organ i partisë Demokratike, i një liste me 9 deputetë të shumicës të cilët sipas gazetës ishin shpallur “non grata” nga ambasada.

Artikulli është cilësuar nga selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara si “tërësisht një trillim”, ndërsa shton më tej në deklaratën e saj se “Ambasada vëzhgon nga afër çështje që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por Ambasada nuk e ka krijuar atë listë. Ne përsërisim deklaratën tonë të 2 marsit dhe nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”, përfundon njoftimi i Ambasadës,

Në fillim të javës mbledhja inauguruese e grupit parlamentar të miqësisë amerikano-shqiptare nuk u zhvillua duke nxitur hamendësime nga më të ndryshmet në mediat shqiptare, duke qenë se në këtë grup prej 39 deputetësh është anëtar dhe deputeti Tom Doshi, i vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit pas deklarimeve sipas të cilave ndaj kishte patur një plan për vrasje, i organizuar nga kryetari i parlamentit Ilir Meta. Zoti Doshi u përjashtua 10 ditë më parë nga grupi i partisë socialiste dhe ambasada amerikane e përshëndeti vendimin duke u shprehur se ndaj zotit Doshi kishte, sipas saj, “pretendime se është përfshirë në veprimtari kriminale”.

Lidhur me shtyrjen e takimit të grupit të miqësise, ambasada kishte sqaruar se kishte ndodhur “shkak të klimës politike aktuale në Parlament dhe mungesës së vullnetit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në mbledhje”. Nga ana e saj forca kryesore e opozitës shpjegoi se “një mbledhje e tillë me praninë e Ilir Metës si kryetar parlamenti ndërkohë nën hetim dhe akuzë si dhe me pjesëmarrjen e disa deputetëve të cilët do duhej të ishin objekt i dekriminalizimit është gjykuar e papërshtatshme për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG