Lidhje

Fillon dërgimi i ndihmave në Vanuatu


Ndihmat humanitare sot filluan të arrijnë në Vanuatu pas një cikloni tropikal shkatërrues që goditi këtë vend ishull në Paqësorin Jugor. Cikloni Pam, me erëra deri në 300 kilometra në orë, shkatërroi fshatra të tëra dhe shkaktoi vdekjen e të paktën tetë njerëzve.

Organizata humanitare CARE paralajmëroi se do të mund të duhen disa ditë ose javë për të dërguar ndihma në ishujt më të largët në arkipelag pas stuhisë masive që goditit rajonin të premten vonë dhe të shtunën.

"Sot, për fat të mirë, ka patur një qetësim të motit, dhe ne arritëm të vëzhgonim situatën në Port Vila për të mësuar se sa njerëz janë në qendrat e evakuimit, çfarë ndihma të menjëhershme po marrin, dhe për të parë se sa njerëz që kanë humbur shtëpitë e tyre kanë nevojë të dërgohen në qendrat e evakuimit. Dje, llogaritej se 2000 persona janë strehuar në qendrat e evakuimit dhe ne presim që numri i tyre të rritet", thotë Charlie Damon, punonjëse e organizatës humanitare CARE.

Autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e tetë njerëzve nga cikloni Pam, edhe pse ka njoftime për vekjen e dhjetra njerëzve të tjerë.

Cikloni Pam, me erëra deri në 300 kilometra në orë, shkatërroi fshatra të tëra. Një banor në Port Vila thotë se stuhia mbajti familjen e saj në gjendje gatishmërie brenda shtëpisë së tyre.

"Xhamat e dritareve u thyen dhe ranë në dysheme dhe më pas ne lëvizëm në dhomën time e cila ishte më e sigurt, por edhe aty pati rrjedhje uji për shkak të shiut të madh dhe erës së fortë. Nuk mund të dilnim përjashta sepse kemi një fëmijë të vogël në shtëpi. Më pas babai na tha të shkonim në kuzhinë sepse aty ishte vendi më i sigurt".

Duke marrë parasysh që Vanuatu ka shpallur gjendjen emergjente, fqinji i saj paqësor, Australia, iu përgjigj apelit të qeverisë për ndihmë ndërkombëtare, duke siguruar 5 milionë dollarë për agjencitë e ndihmave dhe për asistencë humanitare.

"Ne gjithashtu do të dërgojmë furnizime për të mbështetur deri në 5000 njerëz me ujë, artikuj sanitarë dhe strehim. Ne gjithashtu do të dislokojmë një ekip australian të ekspertëve mjekësor dhe një ekip të kërkim-shpëtimit", thotë ministrja e jashtme e Australisë Julie Bishop.

Edhe një ekip kërkim-shpëtimi nga Zelanda e Re është nisur drejt Vanuatus.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG