Lidhje

Rreziku i një cunami në Havai


Rritja e nivelit të detit e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i ekspozon ndaj rrezikut të cunamit komunitetet bregdetare dhe ishujt. Shteti ishullor Havai kishte kohë që përgatitej për më të keqen. Por, tërmeti i vitit 2011 dhe cunami në Japoni i shtyu zyrtarët të rishikonin planet përgatitore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan njofton nga Honolulu se si drejtuesit e operacioneve të emergjencës po përgatiten tashmë për një cunami të përmasave ekstreme që mund të ndodhë një herë në 500 apo 1000 vjet.

Tërmeti prej 9 ballësh dhe cunami që pasoi mori 19 mijë jetë njerëzish në rajonin Tohoku të Japonisë verilindore rreth katër vite më parë.

Shkencëtarët thonë se edhe Havai mund të jetë po aq i rrezikuar.

Studiuesi Rhett Butler, i Universitetit të Havait, thotë se një rrëshqitje misterioze e terrenit në ishullin Kavai provon se një cunami masiv e ka goditur atë rreth 500 vite më parë.

“Kërkojmë për prova se oqeani ka ardhur në tokë. Shikojmë në dunat e rërës dhe të shtresave të gurëve për këtë lloj evidence.”

Dhe gjurmët këtu ndodhen me bollëk, të evidentuara nga paleobiologu David Burney, në koralet e vjetra, guackat dhe llumin oqeanik të lënë prapa nga një valë që e ka sjellë detin të paktën 100 metra brenda tokës.

Shkencëtarët thonë se kjo lloj vale mund të rikthehet. Ata thonë se teorikisht një tërmet prej 9.3 ballësh në ishujt Aleutian në Paqësorin verior mund të krijojë një super cunami.

Shkencëtari i Universitetit të Havait, Kwok Fai Cheung, ndërtoi një model kompjuterik për të simuluar valët e shkaktuara nga një tërmet gjigand Aleutian.

“E përdora si shembull për të futur të dhënat në modelin tim dhe për të simuluar zhvillimin e një cunami në Oqeanin Paqësor, që nga ishujt Aleutian dhe deri në Havai.”

Rezultatet ishin rrënqethëse. Modeli kompjuterik tregon se valët e cunamit mund ta përfshijnë ishullin përtej zonave të konsideruara të sigurta deri më tani.

Agjensia e Menaxhimit të Emergjencave të Havait bashkëpunon me qeverisjen vendore për të përgatitur planet e përballimit të katastrofave. Planifikuesi për emergjencat, Kevin Richards, thotë se plani i vjetër parashikonte evakuimin e 85 mijë banorëve të ishullit Oahu.

“Nëse do të ndodhte, do të na duhej të zhvendosnim 340 – 350 mijë persona; një sfidë shumë më e madhe. Zona e sigurtë tashmë nuk është ajo e mëparshmja, por zhvendoset shumë më brenda territorit të tokës, drejt kodrave.”

Disa rezidentë mund të largoheshin me makina drejt terrenit më të lartë tokësor. Por, ngarja e makinës nuk është shumë praktike në disa pjesë të ishullit, kështu që për banorët është më e përshtatshme të ecin më këmbë, ose të strehohen në katet e katërta të një ndërtese të fortifikuar.

Plane të reja emergjence po krijohen duke zgjeruar zonën e evakuimit për një cunami ekstrem. Tragjedia japoneze e vitit 2011 është ende e freskët në kujtesën e banorëve të Havait, dhe shkencëtari Rhett Butler thotë se ky rrezik merret seriozisht.

“Nuk do të thotë se mund të ndodhë gjatë jetës tonë. Nuk do të thotë se pritet të ndodhë për një vit, apo më shumë. Por, kjo është natyra e forcave tektonike të planetit tonë. Ato vazhdojnë të veprojnë, dhe të çliruara nga një tërmet i fuqishëm, ujërat thjesht veprojnë.”

Ujërat janë pjesë e jetës në këta ishuj.

XS
SM
MD
LG