Lidhje

Kancelarja gjermane komenton për Greqinë, Ukrainën


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo pret të takohet me kryeministrin grek Aleksis Tsipras në Berlin javën e ardhshme. Në komentet e saj në parlamentin gjerman, ajo tha gjithashtu se Perëndimi nuk duhet të heqë sanksionet ndaj Rusisë derisa të jenë përmbushur kërkesat e marrëveshjes së Minskut për Ukrainën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo pret të bisedojë e ndoshta të debatojë me kryeministrin Alexis Tsipras të Greqisë, kur ai të bëjë vizitën e tij të parë në Berlin si kryeministër të hënën e ardhshme. Ajo i bëri komentet pak para takimit të sotëm të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Angela Merkel Kancelare e Gjermanisë

"Ne do të kemi kohë të flasim në mënyrë të detajuar dhe ndoshta edhe për t'u grindur," tha ajo në dhomën e ulët të Bundestagut.

Zonja Merkel tha gjithashtu se Greqia ka përpara një rrugë shumë të vështirë.

"Vetëm një përpjekje e madhe do të çojë drejt suksesit," tha Kancelarja.

Zonja Merkel i bëri thirrje Greqisë të kuptojë përgjegjësinë për të vënë rregull në buxhetin e saj, për të zbatuar reformat dhe për të punuar drejt synimit që një ditë vendi të mos ketë më nevojë për ndihmë.

"Është e qartë se ne kemi arritur disa gjëra përsa i përket krizës së borxhit në Eurozonë, megjithë kushtet e vështira. Por ne ende nuk e kemi kapërcyer krizën mbi një bazë të qëndrueshme në vështrimin afatgjatë."

Duke folur për krizën në Ukrainë, kancelarja gjermane tha se Evropa nuk do t'i heqë sanksionet ndaj Rusisë derisa të jenë përmbushur kushtet e marrëveshjes së Minskut për armëpushim.

"Ne nuk mund dhe nuk do t'i heqim sanksionet që skadojnë në korrik ose në shtator pa u përmbushur kërkesat e marrëveshjes së Minskut. Kjo do të ishte e gabuar," tha zonja Merkel.

Ajo tha gjithashtu se qëllimi i partneritetit të BE-së me vendet e lindjes është përmirësimi i standardit të jetesës për njerëzit në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi, dhe jo anëtarësimi i këtyre vendeve në BE apo NATO.

Ndërkohë, sot Ukraina i bëri thirrje Bashkimit Evropian të qëndrojë i bashkuar në ruajtjen e sanksioneve dhe të trysnisë ndaj Rusisë gjatë konfliktit në Ukrainë lindore.

Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk tha se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të përçajë Evropën lidhur me Ukrainën dhe se kjo do të ishte një "katastrofë për botën e lirë".

Arseniy Yatsenyuk, Kryeministër i Ukrainës

"Unë hedh poshtë me forcë çdo debat për lehtësimin e sanksioneve. Ajo për të cilën mund të diskutojmë është se si t'i shkallëzojmë sanksionet, në rast se Rusia nuk ka dëshirë ta zbatojmë marrëveshjen e Minskut. Në qoftë se Putini përçan unitetin e vendeve anëtare të BE-së, kjo do të ishte një katastrofë për botën e lirë," tha zoti Yatseniuk.

BE-ja ka ndaluar dhënien e vizave dhe ka ngrirë pasuritë për 150 persona, duke përfshirë personalitete të larta ruse si dhe për 37 subjekte të tilla si banka, kompani dhe grupe separatiste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG