Lidhje

Zonja e Parë Michelle Obama në Japoni


Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Michelle Obama po vazhdon turneun e saj në Japoni, ku është duke nxitur një nismë për arsimimin e vajzave në vendet në zhvillim. Programi do të shtrihet në 11 vende, mes tyre Kamboxhia, ku zonja Obama shkon nesër. Në program është përfshirë edhe Shqipëria, Benini, Burkina Faso, Gjeorgjia, Gana, Moldavia, Mongolia, Mozambiku, Togo dhe Uganda.

Në Tokio zonja Obama shpalosi nismën “Lërini Vajzat të Mësojnë” ndërsa u takua me zonjën e parë japoneze Akie Abe.

“E di që ka shumë vajza e gra në mbarë botën që janë po aq të mençura, aq të zonja dhe po aq të etura për të ecur përpara. Por ato nuk shansin për të vajtur në shkollë.”

Zonja Obama tha se fakti që 62 milionë vajza nuk janë në gjendje të shkojnë në shkollë është “humbje e thellë e potencialit njerëzor”. Ajo theksoi se Japonia po ofron 340 milionë dollarë për të financuar programe për forcimin dhe edukumimin e grave dhe vajzave.

Organizata Vullnetarët Japonezë për Bashkëpunimin Botëror do të bashkëpunojë me Korpusin e Paqes për t’u përqendruar tek arsimimi i vajzave.

Naomi Koshi, kryetare e bashkisë së qytetit Otsu, përshendeti zonjën Obama dhe zonjën Abe për drejtimin e përpjekjes, por thotë se ajo do të dëshironte që Japonia të trajtonte hendekun e vet gjinor.

“Mendoj se zonja Obama po fokusohet tek arsimimi i vajzave kryesisht tek vendet në zhvillim, ndaj është problem më serioz. Por në Japoni ende kemi probleme, madje edhe vajzat me arsim të lartë nuk mund të vazhdojnë të punojnë.”

Sipas Raportit për Hendekun Gjinor Global nga Forumi Botëror Ekonomik, që vlerëson vendet në bazë të kritereve ekonomike, politike, arsimore dhe shëndetësore, Japonia rënditet e 105 në listën e 136 vendeve gjatë vitit 2013.

Ndërsa nuk ka virtualisht hendek gjinor në regjistrimin shkollor, gratë në Japoni përballen me pengesa të mëdha istitucionale dhe kulturore në vendet e punës.

Në Japoni, rritja e fëmijëve ende konsiderohet si përgjegjësi e grave. Për shkak të mungesave të theksuara për të gjetur çerdhe e kopështe të përballueshme, rreth 60 për qind e grave japoneze që kanë fëmijë heqin dorë nga puna për t’u kujdesur për fëmijët.

Profesorja për ekonominë Machiko Osawa, me Institutin Kërkimor për Gratë dhe Karrierën në Universitetin Femëror të Japonisë, thotë se kjo pritshmëri çon në diskrimimin brenda botës së korporatave.

“Kur punësohesh pas mbarimit të shkollës, kompanitë shpenzojnë shumë para për trajnimin e punonjësve. Por gratë e lënë punën pas shtatëzanisë apo martesës, ndaj kompanitë nuk duan të rrezikojnë.”

Kryetarja e bashkisë Koshi thotë se për të konkurruar në këtë kulturë të dominuar nga burrat, asaj ju desh të bënte një zgjedhje.

“Nuk martohem dhe nuk bëj fëmijë që të punoj si një burrë. Por nuk mendoj se kjo është gjë e mirë pasi gratë japoneze nuk janë kështu. Ne na duhet të zgjedhim mes punës apo fëmijëve.”

Shumë gra si kryebashkiakia Koshi kanë shtyrë ose kanë vendosur të mos kenë fëmijë, duke çuar në rënien e numrit të lindjeve në Japoni. Ndërkohë, Japonia ka proporcionet më të larta në botë të popullsisë së moshës së tretë. Tkurrja e numrit të punonjësve të rinj kontribuon tek ekonomia në stanjacion e këtij vendi.

Hendeku gjinor i grave japoneze në tregun e punës po ashtu ka çuar në rritjen e përqindjes së varfërisë për fëmijët e nënave pa bashkëshort.

Ajo çfarë nevojitet, thonë mbështetësit e kauzës së grave, janë financimet qeveritare për kopështe e çerdhe të përballueshme, forcimi dhe zbatimi i ligjit për barazinë gjinore dhe ndryshimi i kulturës së këtij vendi ku burrat të luajnë një rol më të përgjegjshëm për rritjen e fëmijëve.

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka premtuar për shtimin e ndjeshëm të pjesmarrjes së grave në punë dhe përmirësimin e pagave për gratë që mesatarisht paguhen 30 përqind më pak se burrat. Por profesorja Osawa është skeptike që zoti Abe do të zbatojë angazhimet financiare dhe ligjore për zotimin që ka marrë.

“Po e shoh nga afër në se është një premtim bosh ose në se do të bëjë diçka. Deri tani nuk ka bërë asgjë në terma reale.”

Ndërsa zonja Osawa pajtohet se mungesa e qasjes në arsim për vajzat në botën në zhvillim është humbje e thellë e potecialit njerëzor, një gjë e tillë është edhe hendeku gjinor në tregun e punës në Japoni.

XS
SM
MD
LG