Lidhje

Ekspozimi ndaj diellit, këshillat e mjekut


Afro 90 për qind e banorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe janë shtetas të huaj. Jeta në këtë vend me diell dhe temperatura të larta shoqërohet edhe me një rrezik më të madh nga kanceri i lëkurës. Por në Emiratet e Bashkuara shfaqet edhe ekstremi tjetër i problemit: mungesa e vitaminës D ndër gratë arabe, të veshura në traditën myslimane, të cilat nuk ekspozohen sa duhet ndaj diellit. Në vazhdim këshillat e mjekut për të gjetur balancën mes mungesës dhe ekspozimit të tepruar ndaj diellit:

Emiratet e Bashkuara Arabe tërheqin shtetas nga e gjithë bota me projektet e tyre ambicioze të zhvillimit. Por nuk është thjesht biznesi që i sjell njerëzit në këtë vend në brigjet e Gjirit Persik. Moti i ngrohtë dhe me diell është një faktor i rëndësishëm për të huajt që vendosen me banim në Emirate. Temeraturat rrallë herë bien nën 23 gracë celcius dhe rreshjet janë tepër të vogla. Aktivitetet e preferuara janë plazhi dhe sportet në natyrë. Por kjo i ka vënë në rrezik shumë të huaj, të cilëve u kanoset kanceri i lëkurës nga ekspozimi i tepër ndaj rrezeve ultravjollcë.

Dermatologët përdorin një pajisje të veçantë që tregon dëmtimin e lëkurës nga dielli, në formën e rrudhave, apo të njollave në lëkurë. Dr. Thomas Berger thotë se pajisja ndihmon për të dalluar shenja shqetësuese. Kanceri i lëkurës është një ndër llojet më agresive të kancerit, prandaj diagnostikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm. Ai thotë se gjysma e pacientëve që viziton janë në rrezik të preken nga kanceri i lëkurës.

Norvegjezja Helen Viken pohon se gjithmonë i kanë pëlqyer banjat e diellit:

“Sa herë që gjej kohë për të pushuar, më pëlqen të ulem në shezlong dhe të lexoj, nën rrezet e diellit. Por tani përpiqem të mbaj një bluzë veshur, jo si dikur kur isha e re".

Australiani Robert Ball kujton se gjatë fëmijërisë është djegur disa herë nga dielli, por tani tregohet shumë i kujdesshëm. Megjithatë, pajisja e analizës së lëkurës tregoi dëmtim nga dielli.

“Fillimisht mbeta i habitur kur pashë njollat e diellit. Nuk kam njolla në fytyrë, por ajo që tregoi pajisja më la të habitur”.

Dr. Berger thotë se dëmtimi i lëkurës nga dielli ndodh më së shumti para moshës 18 vjeç:

“Ka shumë rëndësi të mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë, pasi pjesa më e madhe e dëmit që tregon pajisja e analizës së lëkurës është shkaktuar nga ekspozimi ndaj diellit në moshë të vogël”.

Dr. Berger thotë se ka vërejtur qeliza të karcinomës, një ndër llojet më shqetësuese të kancerit të lëkurës në pacientë në moshë të re:

“Dielli në Emiratet e Bashkuara është shumë i fortë, prandaj ka dëmtim të lëkurës edhe në pacientë në moshë të re. Në Gjermani nuk priten dëmtime të tilla deri në moshën 60-70 vjeçare, por këtu vërehen edhe tek 35-40 vjeçarët”.

Por në Emiratet e Bashkuara vërehet edhe ekstremi tjetër i problemit – ekspozimi i pamjaftueshëm ndaj diellit. Sipas Dr. Berger, thuajse të gjitha gratë arabe në Emirate kanë mungesë të vitaminës D, pasi ndjekin traditën myslimane të veshjes duke mbuluar të gjithë trupin dhe kokën. Vitamina D është e domosdoshme pasi i nevojitet trupit për të thithur kalciumin. Në mungesë të saj shfaqen ritme të larta të fëmijëve rakitikë si dhe osteoporozë në të rritur. Mungesa e vitaminës D mendohet të jetë një ndër shkaqet edhe për shtimin e ritmeve të kancerit dhe për mbipeshën.

“Në moshë të vogël fëmijët vuajnë nga rakitizmi dhe tek moshat e rritura vërejmë osteoporozën. Ky është një problem i madh në këtë vend”.

Pra ngrihet pyetja: duhet apo nuk duhet të rrimë në diell? Dr. Berger thotë se përgjigja është: çdo gjë me masë. Ekspozimi ndaj diellit është i nevojshëm, por në kohëzgjatje të kufizuar dhe gjithmonë duhen përdorur kremi mbrojtës, kapelet dhe çadrat e diellit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG