Lidhje

ISIS, arrestime në Shqipëri dhe Itali

  • Armand Mero

Goditet një celulë terroriste e cila rekrutonte luftëtarë për në Siri. Në pranga një Italian dhe dy shqiptarë me lidhje familjare. Njëri prej tyre Alban Elezi u arrestua në Kavajë

Një operacion i përbashkët i policisë shqiptare dhe asaj italiane ka cuar në goditjen e një celule terroriste e cila rekrutonte besimtarë muslimanë të cilët dërgoheshin më pas për të marrë pjesë në luftimet në Siri, për llogari të të ashtuquajturit Shtet islamik i Sirisë dhe Irakut. Falë hetimeve të Prokurorisë së Brescias, në pranga kanë përfunduar tre persona, një 20 vjecar italian, me origjinë marokene si dhe dy shqiptarë, me lidhje familjare me njëri tjetrin. Italiani konsiderohet autor i një materiali propagandistik, në gjuhën italiane i shpërndarë kohët e fundit në internet me titullin “Shteti islamik, një realitet që kërkon të komunikojë me ty”.

Nga dy shqiptarët e përfshirë, njëri është arrestuar në Itali ndërsa tjetëri në Shqipëri. Ky i fundit është 38 vjecari Alban Elezi. Sipas të dhënave të para ai frekuentonte xhamitë e fshatit Rakull dhe Synei, në zonën e Kavajës ku dhe jetonte. Të dy shqiptarët dyshohet se kanë mundur të dërgojnë në Siri disa besimtarë, njëri prej të cilëve mendohet se ka humbur jetën gjatë luftimeve atje. Së fundmi ata kishin rënë në kontakt me një djalë të ri italo-tunizian. Për ta bindur që t’i bashkohej ISIS-it, Alban Elezi, sipas të dhë​nave t​ë​ policis​ë​ italiane, kishte udhëtuar drejt vendit fqinj, për ta kontaktuar direkt të riun, i cili tashmë është vënë nën mbikqyrjen e autoriteteve italiane.

Sipas hetimeve, shqiptarët e arrestuar sot, mbanin lidhje, si telefonike ashtu dhe nëpërmjet Facebook-ut, me një shtetas italian me origjine marokene, Anas El Abboubi, i cili mendohet se aktualisht gjendet në Siri. Madje, sipas policisë italiane, Anas El Abboubi, përpara se të nisej për të marrë pjesë në luftimet e atjeshme, ka qenë dhe në Shqipëri, në shtator te vitit 2013.

XS
SM
MD
LG