Lidhje

Akuza ndaj rreshterit Bergdahl


Kanë filluar reagimet ndaj akuzave për dezertim të rreshterit të ushtrisë amerikane i cili u shkëmbye me pesë të burgosur talebanë vitin e kaluar. Prokurorët ushtarakë e kanë akuzuar rreshterin Bowe Bergdahl se ka vendosur në rrezik kolegët e tij ushtarakë nëpërmjet veprimeve të tij në Afganistan.

Rreshteri Bergdahl u kap nga talebanët më 30 qershor 2009, rreth dy muaj pasi kishte mbërritur në Afganistan.

Por, periudha e robërisë së tij 5-vjeçare duket se po lihet në hije nga rrethanat që e çuan në duart e armikut.

“Ai ishte një ushtarak. Braktisi postin. Nëse gjendet fajtor për këtë, duhet ta burgosin për të gjithë jetën. I duhet dërguar një mesazh të gjithëve se nuk mundesh të hedhësh paisjet dhe të largohesh.”

Një zëdhënës i ushtrisë thotë se zoti Bergdahl mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse gjendet fajtor për këtë akuzë të rëndë.

“Neni 99 i kodit ushtarak, për rrezikimin e jetës dhe sigurisë së një njësie ushtarake parashikon dënime që nga përjashtimi nga radhët, ulje në gradën minimale dhe heqje të të gjitha përfitimeve financiare, si dhe deri në burgim të përjetshëm.”

Disa nga ushtarët në njësinë e tij e kanë kritikuar atë publikisht si dezertor, ndërkohë që të tjerë po festonin kthimin e tij në atdhe.

“Ne duam që njerëzit ta kuptojnë se ai nuk është një hero amerikan, dhe se nuk ka shërbyer me nder, dinjitet dhe respekt, dhe se ai është një dezertor në kohë lufte. Ky është i gjithë mesazhi ynë.”

Presidenti Barack Obama e kundërshtoi këtë kritik duke thënë se nuk do të kërkojë ndjesë që arriti shkëmbimin e zotit Bergdahl në muajin maj të vitit të kaluar.

Lirimi i tij, që tërhoqi shumë vëmendje, përfundoi me shfaqjen e tij dhe të prindërve në krah të presidentit në Shtëpinë e Bardhë.

“Doja thjesht t’i falenderoja të gjithë ata që e mbështetën. Ai ka miq kudo. Do të vazhdojmë të qëndrojmë të fortë ndërkohë që ai do të marrë veten.”

Rimëkëmbja e zotit Bergdahl është mbajtur përgjithësisht larg syve të publikut, por në kontrast me lirimin e tij, tashmë ndodhet në qendër të një vëmendjeje jo të këndshme.

XS
SM
MD
LG