Lidhje

Frikë për tartarët e Krimesë


Pakicat tartare të Krimesë kanë qenë kundërshtarët më të zëshëm të aneksimit nga Rusia të këtij gadishulli ukrainas në Detin e Zi. Sot, një vit më pas, komuniteti tartar thotë se ekziston një klimë frike. Aktivistë të këtij komuniteti janë frikësuar, rrëmbyer, dhe madje edhe vrarë.

Tartari Rifat Ametov varrosi këtu vëllanë e tij Reshat një vit më parë, të njëjtën ditë kur Rusia nënshkroi ligjin e aneksimit të Krimesë. Reshati, një kritik i hapur i veprimeve të Rusisë në Krime, u rrëmbye, u torturua dhe u vra.

Askush nuk është vënë para përgjegjësi dhe autoritetet, thotë Ametov, kanë ndërprerë hetimet.

"Për më tepër, ne kemi material filmik. Kemi të dhëna se nga erdhën vrasësit. Megjithatë, ata thonë se këta njerëz janë të panjohur dhe nuk mund t'i gjejnë. Si mund t'u besojmë ne autoriteteve të tilla?"

Abdureshit Dzhepparov thotë se djali i tij Islyam ishte një atlet dhe student i mirë, por nuk ishte aktivist dhe nuk kishte fare i interesuar për politikën.

19-vjeçari u rrëmbye në shtator, së bashku me kushëririn e tij 23-vjeçar. Sipas dëshmitarëve, ata u futën në një makinë, nga njerëz me uniforma të zeza. Ata nuk janë parë më dhe askush nuk është arrestuar për rrëmbimin e tyre.

Dzhepparov beson se kanë patur gisht shërbimet ruse të sigurisë. Arsyeja, mendon ai, është se puna e tij si ish-deputet në pleqësinë e tartarëve të Krimesë, organ përfaqësues që merret me shqetësimet e komunitetit.

"Kjo ka qenë përgatitur prej kohësh. Nuk ishte punë e dy ose tre njerëzve. Ishte diçka sistematike. "

Në javët para rrëmbimeve, Dzhepparov thotë se shtëpia e tij ishte nën vëzhgim dhe miqtë e tij merreshin në pyetje.

Djali i tij i madh u zhduk pasi shkoi për të luftuar në Siri, dhe kjo duhet t'i ketë vënë ata në shënjestër të shërbimeve të sigurisë.

Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia, autoritetet kanë ndaluar disa udhëheqës tartarë dhe kanë dëbuar nga zyrat organin e tyre ekzekutiv duke ua vështirësuar punën, thotë aktivisti Tsair Smedlya.

"Gjatë vitit të kaluar, kemi parë vrasje dhe rrëmbime të aktivistëve, bastisje të medreseve dhe xhamive, madje edhe të shtëpive të aktivistëve, kemi parë arrestime dhe paraburgime të paligjshme. E gjithë kjo është bërë për të ngjallur frikë tek tartarët e Krimesë, ashtu si edhe te pjesa tjetër e popullsisë".

Tatarët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë së Krimesë dhe ishin ndër kundërshtarët më të ashpër të referendumit për t'u bashkuar me Rusinë, i cili u dënua në arenën ndërkombëtare.

Autoritetet ruse dhe ato të Krimesë mohojnë se ka patur abuzime dhe thonë se jeta nën Rusinë është më e mirë për tartarët.

XS
SM
MD
LG