Lidhje

Autoritetet: Piloti ka mbajtur të fshehur sëmundjen e tij


Ndërkohë që të afërmit e viktimave të avionit të rrëzuar të kompanisë Germanwings, përballen me dhimbjen e thellë nga humbja e të dashurve të tyre, prokurorët thonë se dëshmitë e marrë nga shtëpia e pilotit të akuzuar për përplasjen e qëllimshme të aeroplanit në Alpet franceze, duke vrarë 150 njerëz, tregojnë se ai nuk duhet të punonte në ditën e rrëzimit për shkak të sëmundjes që kishte.

Një shërbesë përkujtimore u mbajt sot në qytetin Dignes-les-Bain për nder të viktimave të rrëzimit të avionit në Alpet Franceze. Rreth 200 vetë, përfshirë të afërm dhe miq të atyre që humbën jetën morën pjesë në meshën e drejtuar nga peshkopi Jean Philippe Nault.

Ndërkohë në shtëpinë e pilotit të kompanisë ajrore Germanwings, policia ka gjetur raporte mjekësore mbi sëmundjen e tij, dhe trajtimet nga mjekët përfshirë një leje mjekësore të lëshuar në ditën e incidentit.

"Dosjet mjekësore me të dhëna për një sëmundje ekzistuese dhe trajtimet e duhura mjekësore janë konfiskuar. Gjetja e raporteve mjekësore të grisura, përfshirë ato të ditëve të fundit dhe ato të ditës së rrëzimit mbështesin vlerësimin aktual paraprak se i ndjeri kishte fshehur sëmundjen nga punëdhënësi dhe kolegët e tij", thotë prokurori publik Christoph Kumpa.

Autoritetet gjermane thanë se nuk kanë gjetur asnjë letër vetëvrasjese apo dëshmi të një motivi politik apo fetar për rrëzimin e avionit.

Dje në vendin e rrëzimit, ekipet e shpëtimi nuk gjetën asnjë nga trupat e pasagjerëve në gjendje të paprekur.

"Katastrofa ajrore ka shkaktuar shumë dëme dhe ne nuk kemi gjetur asnjë trup në një vend me të gjitha pjesët. Ne kemi gjetur vetëm pjesë të trupave dhe elemente biologjike, të cilat tani janë duke u ekzaminuar", thotë koloneli i xhandarmërisë franceze, Patrik Touron.

Andreas Lubitz ka përfunduar trajnimin për pilot në vitin 2009, dhe është trajtuar për sëmundje serioze, që njoftohet të ketë qenë depresioni, për rreth një vit e gjysmë. Dosja e tij e personelit rekomandonte kontrolle të rregullta psikologjike, por nuk dihet nëse Lufthansa, kompania që ka nën kontroll Germanwings, i ka monitoruar këto rezultate.
Zëri i Amerikës pyeti disa pasagjerë rreth çëshjtes nëse kontrollet psikologjike duhet të jenë rutinë për pilotët.

"Kjo është një punë me një karrierë të gjatë dhjetëra vjeçare dhe unë mendoj se është ide e mirë që të ketë kontrolle të rregulta", thotë ky burrë.

"Unë mendoj se ata janë punonjës publikë ashtu si punonjësit e ushtrisë, ose shoferët e trenave. Kompania e tyre merr masat e nevojshme për t’u siguruar që ata të kalojnë testet e tyre psikologjike",thotë kjo grua.

Por sindikata e pilotëve amerikanë, ALPA, thotë se nuk është dakord me këtë vlerësim. ALPA i tha Zërit të Amerikës se pilotët u nënshtrohen "kontrolleve psikologjike dhe emocionale" para se të punësohen. Por pilotët me të cilës Zëri i Amerikës bisedoi thonë se pas punësimi, kontrollet e tyre të rregullta mjekësore të qeverisë nuk përfshijnë kontrollet psikologjike. Vlerësimi bëhet në bazë të përgjigjeve që pilotët i vënë në formularë.

Douglas Kidd është kreu i Shoqatës Kombëtare të Pasagjerëve. Ai dëshiron të shohë më shumë përpjekje në këtë drejtim.

"Është detyrë e tyre të kujdesen për shëndetin fizik dhe mendor të ekuipazheve të tyre të fluturimit. Jo vetëm pilotët, por edhe shoqëruesit e tyre".

Në raportin mjekësor të gjetur në shtëpinë Andreas Lubitz thuhej se ai nuk duhet punonte në ditën e rrëzimit të avionit. Por leja mjekësore ishte grisur dhe lënë në shtëpi.

XS
SM
MD
LG