Lidhje

Lidhja Arabe: Sulmet ajrore në Jemen do të vazhdojnë


Udhëheqësit arabë thonë se sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite ndaj rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani do të vazhdojnë deri në largimin e tyre nga territoret e pushtuara në Jemen. Në mbyllje të takimit të Lidhjes Arabe, Sekretari i saj Përgjithshëm, Nabil Elaraby tha se “qeveria legjitime” e drejtuar nga Presidenti Abd-Rabbu Mansour Hadi duhet të rikthehet në pushtet dhe Jemeni nuk duhet të lejohet të rrëshqas në një luftë civile. Në një deklaratë në fund të takimit në Sharm el-Sheik të Egjiptit, Lidhja Arabe doli me një deklaratë ku thuhej se udhëheqësit e saj janë dakord për krijimin e një force të përbashkët arabe për të trajtuar kërcënimet në rritje ndaj sigurisë në rajon. Krijimi i strukturës së kësaj force pritet të marrë disa muaj.

Mbreti saudit Salman bin Abdulaziz dje u takua me udhëheqës të tjerë arab dhe të Gjirit në Egjipt, ndërkohë që sulmet ajrore të koalicionit të vendeve arabe hynë në ditën e tretë duke goditur rajonet rreth kryeqytetit të Jemenit, Sana'a.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite sot vazhdoi sulmet ajrore duke goditur objektiva në Jemenin jugor. Sot është dita e katërt e sulmeve ajrore dhe koalicioni arab thotë se është nën kontroll të plotë të hapësirës ajrore të Jemeni duke shkatërruar pothuaj të gjithë arsenalin e raketave tokë-ajër të rebelëve Houthi.

"U bëj thirrje për vazhdimin e Operacionit Stuhia Vendimtare derisa kjo bandë njofton dorëzimin e tij, largohet nga të gjitha territoret e pushtuara në provincat e vendit, dhe largohet nga institucionet shtetërore dhe kampet ushtarake'', tha në takimin e Lidhjes Arabe, presidenti i Jemenit, Abed Rabbo Mansour Hadi

Avionët luftarakë të Arabisë Saudite kanë bombarduar Jemenin jugor për katër ditë, ndërkohë që diplomatë ndërkombëtarë dhe të stafit të OKB-së u larguan nga Adeni, qyteti kryesor jugor që është në qëndër të luftimeve mes forcave pro-qeveritare dhe rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.

"Pista në aeroportin ndërkombëtar në Sana'a ka qenë në shënjestër të sulmeve. Ne kemi arritur të bëjmë disa riparime dhe aeroporti do të jetë gati përsëri së shpejti", thotë shefi i aviacionit civil, Hamid Faraj.

Ndikimi i sulmeve ajrore të koalicionit mbi infrastrukturën dhe popullin e Jeminit ka nxitur ish-presidentin e vendit Ali Abdullah Saleh t'u bëjë thirrje udhëheqësve të braktisin operacionet ushtarake dhe të fillojnë një dialog me rebelët Houthi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon u tha udhëheqësve rajonalë se e vetmja mënyrë për të parandaluar një konflikt afatgjatë në Jemen është përmes negociatave nën mbikëqyrjen e OKB-së.

XS
SM
MD
LG