Lidhje

E ardhmja e zotit Putin


Një ekspert i çështjeve ruse thotë se Presidenti Putin do ta kishte financiarisht dhe politikisht të vështirë të përballonte një intensifikim të luftimeve në Ukrainë, në qoftë se SHBA do ta furnizonin ushtrinë ukrainase me armë të sofistikuara. Leon Aron, Drejtor i Studimeve për Rusinë në Institutin American Enterprize, i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës. Zoti Aron është anëtar i Bordit të Guvernatorëve që mbikqyr transmetimet amerikane për jashtë, pjesë e të cilave është edhe Zëri i Amerikës.

Zoti Leon Aaron, autor i disa librave dhe studimeve për Rusinë, thotë se kur Vladimir Putin u bë përsëri president në vitin 2012, ai bëri një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e tij: nga rritja e qëndrueshme e standardeve të jetesës tek mobilizimi patriotik i vendit.

“Ky ishte një vendim me rëndësi kritike dhe mendoj se ishte edhe një vendim mjaft i zgjuar nga pikëpamja politike, sepse ekonomia nuk mund të vazhdonte më të ishte forca legjitimuese e regjimit. Dhe në fakt, siç e dimë, rritja ekonomike kishte rënë nga 4 përqind në vitin 2010, në më pak se 3 përqind në vitin 2012, ndërkohë që tani prodhimi i përgjithshëm bruto i Rusisë ka mundësi të jetë në tkurrje, disa thonë deri në 5 përqind, të tjerë deri në 10 përqind.”

Kulmi i këtij evolucioni që filloi në vitin 2012, thotë eksperti, ishte fjalimi që Presidenti Putin mbajti përpara Dumës lidhur me Krimenë në mars të vitit të kaluar. Nga pikëpamja gjeostrategjike, shpjegon zoti Aron, axhenda e zotit Putin u radikalizua. Ai filloi të thoshte se në Ukrainë nuk mund të tolerohej më një regjim pro-evropian. Nuk duhet harruar se ky mobilizim patriotik duhej ushqyer vazhdimisht prandaj zoti Putin nuk mund të pranojë asgjë më pak se sa një fitore në Ukrainë. Zoti Putin, thotë eksperti, nuk kërkon thjesht shpërbërjen e Ukrainës por një ndryshim të regjimit të saj.

Perëndimi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, me shpresën se kjo do ta frenojë Presidentin Putin të realizojë ambiciet e tij në Ukrainë. Zoti Aron thotë se ndikimi i këtyre sanksioneve nuk duhet nënvlerësuar.

“Nuk mund të them se sanksionet nuk funksionojnë. Sanksionet nuk funksionojnë në vështrimin afatshkurtër, por në fund të fundit ato funksionojnë. Në vështrimin afatgjatë, Rusia nuk posedon më naftë me çmim të lirë. Asaj i duhet të nxjerrë tani naftë në zonat mbi Polin e Veriut dhe kjo është tepër e kushtueshme, pasi Rusia nuk e ka teknologjinë e duhur. Ajo nuk mund t’i prekë këto depozita pa financime nga jshtë, ajo thjesht nuk ka para për ta bërë këtë. Në këtë kuptim ky është një problem i madh për regjimin, i cili vazhdon ta mbështesë ekonominë e tij te eksportimi i naftës.”

Problemet ekonomike dhe financiare, nuk do ta bëjnë zotin Putin të ndryshojë mendje përsa i përket Ukrainës, thotë zoti Aron. Por kjo do ta detyrojë atë të bëjë zgjedhje të vështira. Ai do ta ketë të vështirë të rrisë pagat dhe pensionet për bazën e tij politike për të kompensuar inflacionin, i cili këtë vit pritet të arrijë të paktën 15 përqind.

Përsa i përket luftës në Ukrainë, thotë eksperti, Presidenti Putin do të përballej me vështirësi të reja nëse ushtria e Ukrainës pajiset me armatime të sofistikuara perëndimore.

“75 përqind e viktimave mes forcave ukrainase janë për shkak të zjarrit të tankeve dhe Ukraina nuk ka ç’të bëjë. Ajo nuk mund të ngrejë avionë në ajër për të shkatërruar tanket, pasi ata do të rrëzoheshin menjëherë nga artileria kundërajrore e separatistëve të furnizuar nga Rusia. Gjithashtu, ushtria ukrainase nuk ka radarë të sofistikuar dhe as artileri për të frenuar zjarrin armik. Por në rast se ajo furnizohet me armatime e pajisje të tilla, drejtimi i luftës mund të ndryshojë mjaft.”

Në këtë rast, parashikon eksperti, lufta do të bëhej më e gjatë dhe presidentit Putin do t’i duhej të angazhonte dy ose tri herë më shumë forca, të cilat do të duhej të ishin forca të rregullta elitë ruse. Kjo, thotë zoti Aron, do të kishte një kosto të lartë për Rusinë. Veç kësaj, ajo do ta vinte në vështirësi politike regjimin, sepse opinioni publik në Rusi është kundër një lufte të gjatë dhe kundër gjakderdhjes. Deri tani, thotë zoti Aron, opinionit rus i mbahet i fshehtë numri i viktimave, pasi kjo është një çështje e ndjeshme politike.

XS
SM
MD
LG