Lidhje

Vendoret, PS drejt finalizimit të kandidatëve

  • Armand Mero

PDIU-ja e Shpëtim Idrizit kalon me të majtët. Rama ftesë për bashkëpunim në zgjedhjet e 21 qershorit dhe partisë së ish presidentit Topi. Opozita ende pa hapa konkretë.

Në Shqipëri e majta në pushtet po shkon drejt përmbylljes së kandidaturave për kryetarët e ardhshëm të 61 bashkive. Kryeministri dhe kryetari socialist Edi Rama ka zhvilluar dje një maratonë takimesh me deputetët e tij sipas qarqeve të ndryshme, ndërsa ka arritur një marrëveshje dhe me Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, të Shpëtim Idrizit e cila përfundimisht braktis opozitën dhe bëhet pjesë e koalicionit qeveritar. “Sapo kemi finalizuar një marrëveshje për të ecur në rrugën e partneritetit politik me partinë e drejtuar nga zoti Idrizi. Sigurisht që, diskutimi është përqendruar në radhë të parë tek vija kryesore e këtij partneriteti politik, çka do të thotë se së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje” deklaroi zoti Rama duke i thelluar edhe më tej numrat e një shumice në parlament tejet të fortë, edhe kështu sic është, me 5 deputetët e kësaj force politike.

Zoti Rama theksoi se me PDIU-në do të jenë së bashku dhe në zgjedhjet e ardhshme vendore të 21 qershorit. “Më konkretisht, do të shkëmbejmë opinionet dhe vendosim për kandidaturat me një vëmendje të veçantë ndaj opinionit të PDIU-së në disa qarqe ku edhe influenca politike e kësaj partie është më e qenësishme, sesa në qarqe të tjera ku sidoqoftë, ne e konsiderojmë PDIU-në një partner mjaft të rëndësishëm”, deklaroi kryeministri.

Por në zgjedhjet e 21 qershorit, zoti Rama kërkon të shkojë me një koalicion që shtrihet edhe më tej brenda gjirit të së djathtës, duke i bërë thirrje për bashkëpunim dhe Frymës së Re demokratike të ish presidentit Bamir Topi. “Në këtë koalicion ka ende hapësirë, ka ende vend për të tjerë zëra dhe të tjera përvoja. Këtu kam parasysh edhe FRD-ën, që me shumë konsideratë do ta ftoja të konsideronte bashkimin në këtë rrugë, jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve dhe të alternativave për vendin”, u shpreh kryeministri.

Deri në mbrëmje, zoti Rama zhvilloi një seri takimesh me deputetët e tij, për të diskutuar rreth kandidaturave për kryetarë bashkie në disa zona të rëndësishme. Duket se në Elbasan, Durrës dhe Korcë, do të konfirmohen drejtuesit aktualë të bashkive. Tirana është ende një cështje e hapur, ndonëse rrethi i emrave është ngushtuar shumë. “Sot kemi rënë dakord për të bërë edhe disa anketime të tjera në disa pika ku kemi ende dilemë, sigurisht në këtë proces anketimi dhe marrjen në konsideratë të opinioneve të publikut, Tirana ka zënë edhe vendin kryesor. Kështu që besoj në pak ditë do të jemi në gjendje të harmonizojmë këndvështrimin tonë me këndvështrimin e opinionit publik të kryeqytetit”, u shpreh zoti Rama,.

Për Tiranën, ku deri më tani ka dalë në garë vetëm kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi, po lakohen emra të shumtë edhe brenda Partisë demokratike, e cila drejton kryeqytetin që prej vitit 2011, përmes drejtuesit të saj aktual Lulzim Basha. Ky i fundit, sipas të gjitha gjasave, nuk do të kërkojë një rikandidim, dhe emri i tij nuk figuron as në propozimet e ardhura nga degët e kësaj partie në kryeqytet. Opozita duket se është më mbrapa me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Nesër pritet që zoti Basha të ketë një takim me aleatët. Por partnerja e saj më besnike, Partia Republikane, duket e acaruar pasi PD nuk mbështet kandidaturën e deputetit të saj Agron Duka. Madje në një intervistë për television Klan, kryetari i republikanëve Fatmir Mediu e cilësoi “të papërgjegjshme” mënyrën se si kryetari demokrat po sillet me aleatët duke shtuar dozën e akuzave me dyshime për “pazare me partinë socialiste në Durrës apo me kandidatin e saj aktual”. Por në PD, duket se po mbizotëron një frymë që të mos ketë tërheqje ndaj trysnisë së aleatëve, edhe me koston se ata mund të garojnë të vetëm, duke e fragmentarizuar në këtë mënyrë votën e të djathtës, përballë një të majte, që në të kundërt, po e zgjeron gardhin e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG