Lidhje

Nishani: Të zbatohet marrëveshja e Ohrit


Në Tiranë takimi me presidentin maqedonas Gjerge Ivanov. Presidenti Nishani: Faktori shqiptar në Maqedoni, element stabiliteti dhe kohezioni të brendshëm. Ivanov: Pakicat maqedonase në Shqipëri të trajtohen si shqiptarët në vendin tonë

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani tha sot në përfundim të një takimi me presidentin maqedonas Gjorge Ivanov se “harmonia dhe bashkëjetesa mes popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase sigurohen përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”

Presidenti Nishani nënvizoi se Marrëveshja e Ohrit, “duhet të zbatohet sa më parë dhe e plotë në të gjithë elementët dhe ne frymën saj, veçanërisht në atë të përfaqësimit proporcional në institucionet qendrore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, parashikimet reale buxhetore për të gjitha rajonet, si dhe në qeverisjen vendore. Faktori shqiptar në Maqedoni është element stabiliteti dhe kohezioni të brendshëm” u shpreh ai duke shtuar se “të gjithë duhet të kontribuojmë për uljen e shkallës së mosbesimit dhe të paragjykimeve mes dy popullsive, në mënyrë që të shmangen tensionet ndëretnike, që shpesh ndizen edhe nga incidente të vogla e të natyrave të ndryshme”

Nga ana e tij presidenti Ivanov ju referua pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri duke deklaruar se Shkupi pret që ata të trajtohen në të njejtën mënyrë si shqiptarët në Maqedoni. Por për presidentin Nishani “Shqipëria është një ndër vendet më të avancuara në respektimin e të drejtave të pakicave” dhe se “pakica maqedonase në Shqipëri, në raport me konventat dhe standartet europiane gëzon të gjithë të drejtat e njohura, që nga përfaqësimi në komunën ku jeton, në komitetin ndërshteror për pakicat e gëzon të drejtën e arsimit në gjuhën e saj në zonën ku jeton”, nënvizoi presidenti Nishani

XS
SM
MD
LG