Lidhje

Sa të rrezikshëm janë myslimanët e Amerikës?


Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 autoritetet janë shqetësuar se myslimanët me banim në Shtetet e Bashkuara mund të radikalizohen dhe të angazhohen në sulmet terroriste në vend. Kohët e fundit grupi ekstremist Shteti Islamik u bëri thirrje simpatizantëve të tij të vrasin njerëz nga një listë me ushtarë amerikanë. Por një studim nga disa universitete në Karolinën e Veriut arrin në përfundimin se myslimano-amerikanët nuk janë prekur nga këto presione radikalizimi.

Sally Ayad, një myslimane e rritur në Shtetet e Bashkuara, nuk është prekur nga problemet politike në Lindjen e Mesme:

“Lajmet, ato që ndodhin jashtë vendit, nuk i dëgjonim kur po rritesha. Nuk na kërkonte njeri të mbanim njërën anë apo tjetrën”.

Për myslimanët në xhaminë e saj në Raleigh të Karolinës së Veriut dhe në pjesë të tjera të vendit është e njëjta situatë. Por tani shumë prej tyre besojnë se të tjerët i shohin si terroristë të mundshëm.

Që nga sulmet e 11 shtatorit, komunitete të tilla myslimane në Shtetet e Bashkuara kanë qenë objekt skepticizmi dhe shqetësimi. Por një studim tregon se këto shqetësime janë pa vend.

Studiuesi Charles Kurzman regjistroi numrin e myslimanëve që dyshohen se kanë planifikuar apo shkaktuar dhunë gjatë kësaj periudhe.

“Kemi identifikuar 250 individë që janë arrestuar, ose që janë angazhuar në akte që mund të konsiderohen si terrorizëm”.

250 mund të tingëllojë si numër i madh, por përbën një përqindje të vogël të popullatës myslimane afro 3 milionëshe në Shtetet e Bashkuara.

Në listë përfshihet autori i shpërthimit në Maratonën e Bostonit Dzhokar Tsarnaev, autori i sulmit në Bazën Fort Hood, Nidal Hassan dhe somalezo-amerikani Abdirahman Muhamed, i cili u përpoq të bashkohej me ekstremistët në Siri.

Numri i të vrarëve nga këto sulme terroriste nga myslimano-amerikanë arrin në 50 vetë, që nuk krahasohet me një statistikë tjetër thotë zoti Kurzman:

“Që nga 11 shtatori në Shtetet e Bashkuara ka pasur mbi 200 mijë vrasje”.

Ndërkaq, shqetësime të tjera për sigurinë publike janë aksidentet automobilistike apo lehtësia e blerjes së armëve të zjarrit, të cilave nuk u kushtohet shumë vëmendje si rezultat i përqëndrimit tek terrorizmi, thotë ai.

“Kemi ngecur tek problemi i ballafaqimit me terrorizmin; kemi një politikë për zero tolerancë ndaj kësaj dhune, por tolerancë shumë më të madhe për akte të tjera dhune”.

“Asnjë besim fetar nuk është përgjegjës për terrorizëm. Njerëzit janë përgjegjës për terrorizëm dhe dhunë”.

Presidenti Barak Obama foli për radikalizmin në takimin me temë “Ballafaqimi me Estremizmin e Dhunshëm”.

Por eksperti i terrorizmit të brendshëm David Schanzer thotë se takimi nuk duhet të ishte marrë me kërcënime të brendshme dhe ndërkombëtare.

“Duke i bashkuar këto dy probleme u kemi dhënë amerikanëve përshtypjen se tmerret që po ndodhin jashtë vendit dhe numri i njerëzve që veprojnë atje është i ngjashëm me atë në Shtetet e Bashkuara, kur në fakt nuk është ashtu”.

Policia vazhdon hetimet mbi vrasjen e tre studentëve myslimanë në Karolinën e Veriut për të vërtetuar nëse motivi ishte urrejtja fetare. Pavarësisht se çfarë del nga hetimet, shumë myslimanë thonë se që nga sulmet e 11 shtatorit e ndjejnë se shihen me dyshim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG