Lidhje

Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite goditën Jemenin për të 17-ën ditë, duke u përqëndruar tek rebelët shiitë huthi përreth qytetit të Adenit në jug të vendit. Të paktën 22 persona u vranë gjatë natës nga sulmet ajrore dhe luftimet në tokë. Sulmet ajrore u përqëndruan gjithashtu kundër depove të armatimit të rebelëve huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sana.

Një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite tha se rebelët po përdorin mjedise publike për të kamufluar aktivitetin e tyre.

“Përdorimi i shkollave, stadiumeve dhe mjediseve civile nga ky grupim synon të dëmtojë jetën e përditshme të qytetarëve dhe infrastrukturën.”

Beteja në Jemen ka krijuar një krizë humanitare, duke detyruar mijëra persona të braktisin shtëpitë, ndërsa ata që mbeten prapa nuk kanë ushqime dhe ilaçe.

Një fondacion humanitar thotë se ndihma prej koalicionit po e bën më të lehtë transportimin e furnizimeve.

“Kemi shumë mbështetje prej koalicionit. Ka mbërritur tashmë autokolona e parë e ndihmave në Aden, dhe jemi shumë të kënaqur.”

Kombet e Bashkuara thonë se do të kryhen edhe fluturime të tjera ndërkohë që fondacionet e ndihmave po organizohen për të sjellë ndihma.

Deri më tani, sulmet ajrore nuk e kanë ndalur avancimin e mëtejshëm të rebelëve huthi në Jemen.

XS
SM
MD
LG