Lidhje

Muzikantët në Mali


Gjatë festivalit të filmit dhe muzikës South by Southwest të këtij viti, disa muzikantë nga Mali prezantuan një film që tregon se si jeta e tyre është trazuar prej xhihadistëve që shkatërruan artifakte të lashta në qytetin Timbuktu dhe ndalojnë artin e muzikës duke kërcënuar me vdekje. Disa kanë frikë edhe të kthehen në qytetet e tyre megjithëse xhihadistët nuk i kanë më nën kontroll.

Muzikë nga e gjithë bota dëgjohet në Austin gjatë festivalit South by Southwest, dhe shumë prej filmave të shfaqur kanë subjekt muzikën dhe muzikantët.

Një film premierë që u shfaq këtë vit, i titulluar “Më parë do t’u duhet të na vrasin”, flet për muzikantë në vendin e Afrikës perëndimore, Malin, të cilën u dëbuan prej rebelëve xhihadistë.

Në një aktivitet ku përgjithësisht dominon muzika, ishte veçanërisht shokuese të dëgjoje këtë histori muzikantësh jetët e të cilëve janë në rrezik për shkak se luajnë muzikë.

Megjithëse trupat qeveritare me mbështetje të ushtrisë franceze i larguan xhihadistët nga Mali në vitin 2013, ata vazhdojnë të kryejnë sulme terroriste kundër klubeve të natës dhe objektivave të tjera civile.

Një nga muzikantët e pranishëm për premierën e filmit, Oumar Toure, thotë se është e mundur të rikthehet në qytetin e tij.

Ai është pjesë e një grupi muzikor të quajtur Songhoy Blues, që tashmë luan muzikës për audienca në Evropë dhe SHBA, dhe ka simpatizantë në gjithë botën nëpërmjet një videoje online.

Filmi dokumentar i pati fillesat në janar 2012 kur një ish-producente e BBC-së, Johanna Schwartz, e cila është e dashuruar me muzikën e Afrikës Perëndimore, dëgjoi për rrezikun xhihadist kundër muzikantëve në Mali.

“Mendova se ishte një ndër gjërat më të këqija që kisha degjuar ndonjëherë, kështu që thjesht hipa në një avion, mora me vete kameran dhe shkova atje. Mendova se duhet ta rrëfeja këtë histori që duhet të bëhet e njohur për të gjithë.”

Ajo thotë se veproi e vetme së bashku me një producent vendas dhe se njerëzit që takoi në Mali ishin të gatshëm ta ndihmonin.

“Kishin kaq shumë dëshirë të flisnin për ç’ka po ndodhte dhe e dinin se një mënyrë për ta luftuar atë që po përfshinte vendin e tyre ishte ta bënin të njohur për sa më shumë njerëz nëpër botë.”

Titulli i filmit rrjedhoi prej një këngëtareje, e cila tha se nëse xhihadistët duan të ndalojnë muzikën në Mali, atëherë “do t’u duhet më parë të na vrasin”. Ky është thelbi i filmit.

“Është një histori mjaft frymëzuese dhe shpresojmë ta kemi transmetuar këtë në film.”

Zonja Schwartz thotë se mënyra më e mirë që njerëzit të mbështesin muzikantët nga Mali, është të blejnë disqet e tyre dhe të dëgjojnë muzikën e tyre.

XS
SM
MD
LG