Lidhje

Krijohet Këshilli i Investimeve


Shqipëri, nisma, pjesë e një projekti të BERZH-it ka si qëllim zhvillimin e dialogut publik privat dhe nxitjen e veprimtarisë konkrete për përforcimin e klimës së biznesit në vend

Në Tiranë, Qeveria shqiptare e mbështetur nga Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, themeloi Këshillin e Investimeve, një institucion që ka si qëllim zhvillimin e dialogut publik privat dhe nxitjen e veprimtarisë konkrete për përforcimin e klimës së biznesit në vend. Këshilli i investimeve është pjesë e një program pilot të BERZH-it, pjesë e Nismës për Klimën e Investimeve dhe Qeverisjen, në të cilën Shqipëria është vendi i parë që është bërë pjesë.

Këshilli do të ketë në përbërjen e tij disa ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësuesë të institucioneve të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare. Puna e tij mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur i përbërë nga profesionistë të përzgjedhur e kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar direkt me komunitetin e biznesit. Financimi fillestar i Sekretariatit është siguruar nga Italia.

Këshilli do të shërbeje si një urë ndërmjet komunitetit të biznesit dhe qeverisë dhe do të shërbeje si një nxitje për krijimin e një mjedisi biznesi të favorshëm. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një moment historik për Shqipërinë dhe një hap para drejt zhvillimit ekonomik. Ai njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të miratohet edhe një ligj i ri për investimet I cili “krijon një hapësirë te re dhe rrit parashikueshmërinë në procesin e investimeve dhe shkon një hap më tutje në mbështetjen që shteti synon t’i japë investitorëve. Jemi në diskutim intensive për të detajuar cdo element të këtij ligji të ri dhe jemi të bindur që do të kemi një kapitull të ri për investimet dhe investitorët në Shqipëri”, deklaroi zoti Rama duke paralajmëruar se shumë shpejt së bashku me BERZH-in qeveria shqiptare do të ndërmarrë dhe një nismë të re në mbështetje të sekotrit të bujqësisë “për të zgjeruar gamën e financimit të këtij sektori dhe për të krijuar kushtet që duke e vendosur qeverinë në rolin e ndërmjetësit, ta bëjmë shumë herë më të aksesueshëm sistemin bankar nga ana e fermerëve dhe ta vendosim qeerinë në rolin e garantit të këtyre investimeve duke marrë përsipër riskun”, shpjegoi ai.

“Ne jemi krenarë që mbështesim krijimin e Këshillit të Investimeve. Ky është një hap i rëndësishëm dhe jemi të lumtur të shohim që autoritetet shqiptare trajtojnë me seriozitet sfidat me të cilat përballet vendi. Përmirësimi i mjedisit te biznesit është një nga prioritetet e punës së BERZH-it në Shqipëri dhe është një pjesë e rëndësishme e punës tonë’’ tha Christoph Denk, Drejtor i Zyrës së BERZH-it në Tiranë.

‘’Ky hap tregon angazhimin e plotë të autoriteteve shqiptare ndaj programit të reformave. Ne jemi të kënaqur të shohim që Nisma për Klimën e Investimeve dhe Qeverisjen të japë rezultate sepse rritja ekonomike mund të fuqizohet vetëm nëpërmjet procesit të ndryshimit dhe miratimit të reformave favorizuese të tregut, ‘’ tha nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Partneritetin në BERZH, Alan Rousso.

XS
SM
MD
LG