Lidhje

Drejtoresha e BB, optimiste për ekonominë shqiptare

  • Laura Konda

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, shprehet me optimizëm për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, bazuar tek fakti që Shqipëria ka burime të mëdha natyrore dhe njerëzore. Në një intervistë me kolegen Laura Konda, zonja Goldstein flet gjithashtu për borxhin aktualisht të lartë që ka vendi dhe ndihmën që po jep Banka Botërore përmes një strategjie të re, për ta çuar Shqipërinë në një stad të ri zhvillimi, me rritje ekonomike të përshpjetuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Goldstein, pas krizës financiare të vitit 2008, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk po rikthehen dot në nivelet e rritjes ekonomike para krizës dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. A mendoni se Shqipëria mund të arrijë së shpejti në nivelet e rritjes ekonomike në nivelin 4-5 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm para krizës?

Ellen Goldstein: Po, në fakt keni të drejtë, përpara krizës globale, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kishin një rritje ekonomike prej 5-6 për qind dhe Shqipëria nuk përbënte përjashtim, me një rritje ekonomike afërsisht 6 për qind në vitet 2005-2007; por që nga kriza globale, rritja ekonomike ka rënë në mënyrë dramatike, duke shënuar shifra shumë të ulëta në vitet 2012-2013. Tani Shqipëria ka filluar të rimëkëmbet dhe aktualisht ka një rritje ekonomike 2-3 për qind. Shqipëria ka potencial të fuqishëm që të rritet më me shpjetësi dhe në se do të ndërmarrë reformat e duhura ekonomike, ne do të shohim që rritja ekonomike do të përshpejtohet në dy vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Borxhi i Shqipërisë në raport me prodhimin e përgjithshëm të brendshëm është mbi 70 për qind dhe vazhdon të rritet; veç kësaj, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke u nisur nga këta tregues, a ekziston rreziku që Shqipëria të hyjë në një fazë paqëndrueshmërie makroekonomike?

Ellen Goldstein: Mendoj që ka shumë pak rrezik për paqëndrueshmëri ekonomike. Reformat strukturore po sjellin një qëndrueshmëri makroekonomike dhe kjo do të përshpejtojë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Borxhi tani është në nivele të larta 71 për qind, por ne presim, që në dy vjetët e ardhshëm, të uletnë 66 për qind deri në vitin 2017. Ky objektiv bazohet tek marrëveshjet e Shqipërisë me FMN, Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian që po e mbështesin Shqipërinë, që ajo të shkojë në një stad tjetër zhvillimi, me një rritje ekonomike të përshpejtuar.

Zëri i Amerikës: Ju tingëlloni disi optimiste për ekonominë e Shqipërisë, edhe pse ajo ndeshet me disa probleme. Cilat janë sipas jush burimet e rritjes ekonomike për Shqipërinë?

Ellen Goldstein: Në afat të gjatë, unë jam shumë optimiste për Shqipërinë, sepse ajo ka mjaft burime natyrore dhe njerëzore; gjithashtu ajo kufizohet me grupin më të madh ekonomik të botës, BE-në. Pra, në afat të gjatë Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje ekonomike dhe për të arritur standartet europiane të jetesës. Aktualisht, në kushtet kur vetë vendet europiane ndodhen në vështirësi për rritje ekonomike, kjo do të jetë e vështirë, por dua të theksoj se Shqipëria po rritet me ritëm më të shpejtë ekonomik se sa vendet e BE-së dhe mendoj se kjo rritje do të përshpejtohet.

Burimet e rritjes ekonomike për Shqipërinë janë ato natyrore. Siç thashë, vendi ka potencial për të zhvilluar turizmin, ka burime hidroenergjitike të cilat mund t’i ekportojë në vendet rajonale dhe natyrisht, burimi më i madh që ka Shqipëria, është ai njerëzor.

Populli shqiptar e ka provuar këtë shumë herë përmes emigracionit në Evropë, apo në vende të tjera të botës, ku shqiptarët kanë qenë shumë të suksesshëm në përpjekjet e tyre ekonomike.

Unë mendoj se me fokusin e duhur për të rikthyer qëndrueshnërinë makroekonomike, duke krijuar një mjedis tërheqës për rritjen e sektorit privat dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të sektorit publik për qytetarët, do të bëhet e mundur që jo vetëm rritja ekonomike e Shqipërisë të përshpejtohet, por që në këtë rritje ekonomike të përfshihet një pjesë më e madhe e popullsisë, për të patur mirëqenie për të gjithë shqiptarët.

Zëti i Amerikës: Ju përmendët emigracionin. Në fakt Shqipëria e ka ndjerë ndikimin e krizës, mes të tjerash, përmes pakësimit të remitancave. Pra, në kushtet kur nuk janë hapur vende të reja pune dhe të pakësimit të remitancave, a mendoni se shqiptarët janë sot më të varfër se në vitin 2008? Mund të na jepni disa statistika të Bankës Botërore që lidhen me këtë?

Ellen Goldstein: Sigurisht, që kriza botëtore e goditi modelin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Dhe ky model, siç thatë edhe ju, nxitej nga remitancat. Ato bënë që të shtohej shumë edhe konsumi brenda vendit. Pra, me pakësimin e remitancave, u pakësuan investimet, natyrisht që ra rritja ekonomike, si dhe përparimi që ishte bërë në pakësimin e varfërisë dhe në punësimin e njerëzve.

Para krizës, ritmi i varfërisë kishte rënë nga 25 për qind që kishte qenë në fillim të viteve 2000, në 12 për qind në vitin 2008. Që nga ajo kohë,varfëria është rritur, në nivelin 14 për qind. Pra, në përgjithësi, kemi një rënie të konsiderueshme të nivelit të varfërisë në afat të gjatë, por ju keni të drejtë, se kriza ka bërë që të bëhen hapa prapa në aspektin e nivelit të varfërisë. Tani modeli ekonomik i Shqipërisë duhet ribalancuar.

Po flitet shumë për një model të ri ekonomik në Shqipëri dhe kjo do të thotë se vendi duhet të kalojë nga një nivel bazuar tek konsumi dhe remitancat, tek një model rritjeje, që orjentohet më tepër ndaj investimeve dhe eksporteve. Për të arritur këtë, duhet të zhvillohen reforma në klimën e investimeve, në sektorë si energjia, e drejta e tokës dhe e pronës si dhe burokracia në mjedisin e zhvillimit të biznesit, si dhe duke përmirësuar kualifikimin e forcës punëtore, përfshirë rininë dhe gratë.

Zëri i Amerikës: Banka po punon për një strategji të re për Shqipërinë. A mund të na njihni me disa fusha për të cilat po punon Banka Botërore për pakësimin e varfërisë dhe për të ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës?

Ellen Goldstein: Po, ne jemi duke bërë atë që quhet analizë diagnostikimi për vendin, që do të thotë evidentimi i kufizimeve dhe mundësive për pakësimin e varfësirë në Shqipëri. Kjo analizë bëri që të kemi një strategji, e cila do të shtrihet në tri aspekte: një prej tyre është rikthimi i qëndrueshmërisë makroekonomike dhe fiskale, që janë të domdosdoshme për rritjen ekonomike të vendit. E dyta, është krijimi i një mjedisi tërheqës për rritjen e sektorit privat; kjo do të thotë që duhen zgjidhur problemet me energjinë, sqarimi i pronësisë mbi tokën, krijimi i një mjedisi të mirë për investime dhe së fundi, bashkëveprimi mes qeverisë dhe qytetarëve: shërbimet publike që i ofron qeveria qytetarëve dhe përgjegjësia e qeverisë për ta bërë këtë. Kjo do të thotë që të ketë efikasitet në dhënien e këtyre shërbimeve, si dhe fokusimi tek ndihmat sociale, pensionet, shërbimet në shëndetësi… Që këto shërbime t’i kenë jo vetëm njerëzit me të ardhura të larta, por deri tek të varfërit e zonave të thella, që vazhdojnë të ekzistojnë sot në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare ka aplikuar një sistem të ri taksash ndaj të ardhurave. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë kjo tek ekonomia shqiptare?

Ellen Goldstein: Po ka patur një debat për kalimin nga sistemi i taksës së sheshtë në atë progresive, sipas të cilit persona me të ardhura më të larta taksohen më shumë se ata me më pak të ardhura. Sistemi taksës së sheshtë aplikohet më shumë tek vendet me të ardhura të pakta. Ky lloj sistemi administrohet më lehtë... Por për vendet që kalojnë në statusin e të ardhurave mesatare, siç ka ndodhur me Shqipërinë në dekadën e fundit, shihet si diçka standarte që të kalojnë tek një sistem taksash progresive. Kjo shërben në disa drejtime: ndihmon në kthimin e qëndrueshmërisë së sistemit fiskal, tepër të nevojshme, për rritje më të madhe ekonomike; po ashtu, taksa progresive bën të mundur një lloj solidariteti të njerëzve më të pasur me ata me më pak të ardhura.

Zëri i Amerikës: Një pyetje lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në shoqërinë shqiptare dhe si po e ndihmon Banka Botërore Shqipërinë të luftojë korrupsionin?

Ellen Goldstein: Kjo është një pyetje e shkëlqyer, sepse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë prapa standarteve evropiane përsa i përket çdo indikatori për qevrinë dhe korrupsionin. Në kontekstin shqiptar, ne e fokusojmë mbështetjen tonë tek transparenca e qeverisë dhe përgjegjshmëria e saj për shërbimet ndaj qytetarëve. Ne po e mbështesim qeverinë shqiptare në krijimin e qendrës model për shërbimet ndaj qytetarëve. Ne përpiqemi që qeveria të jetë më transparente me popullin, për këtë po përdorim teknologjinë e informacionit dhe kontrollin e këtij lloj informacioni. Kjo e bën më të efektshme dhe më të përgjegjshme qeverinë. Përveç kësaj, ne ndihmojmë në sektorë të veçantë, si ai energjetikës psh, ku qeveria shqiptare ka filluar një fushatë madhore për të trajtuar vjedhjet e energjisë; ne mbështesim me forcë idenë se përdoruesit e energjisë duhet ta paguajnë atë, duke e kombinuar me rrjetin e duhur të sigurisë në sektorin energjitik, për të mbrojtur personat më vulnerabël. E njëjta gjë bëhet me të gjitha shërbimet publike, si psh furnizimi me ujë, shërbimet sanitare, cilësia e shërbimit shëndetësor dhe transparenca, në mënyrë që të mos përdoret bakshishi për të marrë një shërbim të mirë shëndetësor. Banka i ka shtrirë operacionet e saj në të gjitha këto fusha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG