Lidhje

Tiranë: Analistët komentojnë zgjedhjet vendore


Në Tiranë, partitë politike shpallën kandidatët për zgjedhjet e pushtetit vendor. Studiues të jetës politike në vend pohuan se kandidatët janë të përzgjedhurit e kryetarëve dhe jo antarësisë. Sipas tyre, kandidatët për bashki vijnë më së shumti nga qarqet e biznesit dhe disa prej tyre kanë probleme me drejtësinë. Analistët mendojnë që këto zgjedhje janë më tepër inerci e gabimeve të mëparshme, dhe nuk shënojnë ndonjë risi për demokracinë e vendit.

Analistët për zgjedhejt lokale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:44 0:00

​Ndërsa partitë kryesore politike shpallën kandidatët për bashkiakë në të gjithë vendin, vëzhgues të jetës sociale e politike të vendit shprehën dyshime mbi motivimin e këtij procesi për zgjedhjet vendore. Ata pohuan se një numër i madh kandidatësh janë biznesmenë dhe të paktën 8 prej tyre kanë të kaluar kriminale brenda dhe jashtë vendit. Sipas tyre, se partitë politike nuk zhvilluan konsultime dhe nuk dëgjuan degët e tyre nëpër qytete, por më së shumti kandidatët janë zgjedhje të kryetarëve.

Analistët thonë se mbeti e paqartë mënyra se si u zgjodhën kandidatët prej partive dhe aleancave, dhe në shumë raste janë rikandiduar bashkiakë të mëparshëm të pasuksesshëm dhe të kompromentuar. Nga ana tjetër, zmadhimi i bashkive ka shtuar më tej oreksin për korrupsion dhe përfitime të shumëllojshme nga të gjithë, aq sa deputetë dhe ministra po kandidojnë për t'u bërë bashkiakë, sepse bashkia tashmë është bërë më joshëse se ministria, pohojnë vëzhguesit. Motivi kryesor i kandidatëve dhe rikandidimeve është mbështetja e madhe financiare që ata kanë.

Drejtuesit e shtypit pohojnë se partitë kanë patur shumë presione për të rikandiduar bashkiakët ekzistues prej vetë atyre me kërcënimin se mund të prishin punë duke dalë si kandidatë të pavarur, dhe nga ana tjetër edhe degët kanë bërë presion për të zgjedhur kandidatë të tjerë. Në fund kryetarët kanë zgjedhur të parapëlqyerit e tyre.

Asnjë nga kandidatët nuk publikoi asnjë platformë një muaj para zgjedhjeve. Të gjithë emrat që dolën, ishin emërime të partive, dhe ata kanë fare pak ditë për të shkruar programet e tyre të punës për qeverisjen vendore. Emrat e kandidatëve u ndryshuan deri në ditën e fundit dhe ende nuk ka dalë në publik asnjë projekt i qeverisjes vendore prej asnjë kandidati, fushata nuk ka nisur ende dhe emrat konkurrues u nxorën përsëri me vonesë.

Sipas analistëve, edhe kjo vonesë është vazhdim i praktikave të mëparshme, që partitë politizojnë skajshëm zgjedhjet vendore dhe nuk paraqesin asnjë projekt të qartë mbi qeverisjen e qyteteve, ku shkatërrimi i mjedisit dhe i territorit janë probleme kryesore.

Lidhur me kandidatët e pavarur analistët mendojnë se në shumicën e rasteve ata janë fryt i mungesës së demokracisë në jetën e brendshme të partive të tyre, pasi nuk dëgjohen nga partia ata dalin kandidatë më vete. Kryeqyteti i Shqipërisë është sfida kryesore mes garuesve kryesorë nga partitë më të mëdha dhe nga kandidatë të pavarur.

Problemi kryesor, sipas tyre, do të mbetet fakti që edhe pse zgjedhjet po bëhen me hartën e re, kompetencat e bashkiakëve edhe për dy vjet do të mbeten me ligjin e vjetër. Analistët parashikojnë një pjesëmarrje shumë të ulët të qytetarëve në voyime, së pari nga zhgënjimi prej partive të mëdha, së dyti prej emërimit të kandidatëve që nuk i duan dhe së treti nga zmadhimi i skajshëm i zonave zgjedhore, që i largon ata nga interesi i qendrave urbane.

XS
SM
MD
LG